Policia e Kosovës ka dhënë detaje më të hollësishme rreth grabitjes që ndodhi në filialin e bankës TEB në lagjen Dardania.
Sipas raportit policor, bëhet e ditur se personat e maskuar janë futur në bankë të armatosur, duke marr një sasi të parave.
“Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në rrugën “Robert Doll ” në Prishtinë. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve”, ka bërë të ditur policia.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.
“Personat e dyshuar, që të gjithë maskuar, kanë grabitur një sasi të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë. Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre”, thuhet më tej në raportin policor.