Policia e Kosovës përmes një komunikate ka dhënë detaje rreth plagosjes së dy nxënësve në Podujevë.
Kjo është komunikata e plotë e Policisë:
Sot në ora 08:02 kemi pranuar informatën për një plagosje me armë zjarri në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë, saktësisht në shkollën Fan S Noli.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore për ekzaminim të vendngjarjes.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ku nga një predhë e cila nëpërmes dritares ka depërtuar në klasë, janë lënduar dy persona (nxënës deri sa ishin në orën e mësimit):
I.P, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës ( lëndime në buzë) dhe
A.R. mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës (lëndime ne kraharorë),
të cilët menjëherë janë dërguar për trajtim mjekësor, nga ku edhe jemi njoftuar se janë jashtë rrezikut për jetë.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar është hapur rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ndërkohë që hetuesit policorë janë duke punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave lidhur me këtë rast.
Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike , andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.