Policia në Pejë ka njoftuar se ka arrestuar shtetasin F. Ll.(1971), i cili dyshohet se ka vrarë fqinjin e tij Idriz Gega (1936) me sëpatë, kurse ka plagosur me armë zjarri të bitin e viktimës, Ferid Gega (1985).
Policia njofton se rreth orës 15:10 ka pranuar informacion se në rrugën “Muharrem Kelmendi” në Pejë, kishte një incident me persona të plagosur.
Njësitet policore kanë shkuar menjëherë në vend të ngjarjes. Sipas të dhënave hetimore, mësohet se i dyshuari pasi që e ka kanosur viktimën I. G., të njëjtin e ka qëlluar me sëpatë në kokë, me ç’rast viktima është transportuar me ndihmën e qytetarëve deri në Spitalin Rajonal në Pejë, ku përkundër përpjekjeve të ekipit emergjent mjekësor për t’i shpëtuar jetën, ai ka ndërruar jetë në ora 16:04.
Ndërsa viktima tjetër F.G. është hasur nga policia në vendin e ngjarjes, në një pozitë gjysmë të shtrirë me një pistolete në dorë. Ai kishte dy plagë nga arma e zjarrit. Policia e ka çarmatosur personin dhe e ka njoftuar autoambulancën, e cila e ka transportuar viktimën në Spitalin Rajonal të Pejës.
Policia më pas ka lokalizuar dhe arrestuar personin e dyshuar, nga i cili e konfiskon armën me të cilën është plagosur viktima F. G. Po ashtu ka konfiskuar mjetin (sëpatën) me i cilën është plagosur viktima I.G., i cili më vonë vdiq nga plagët e marra.
Sipas njoftimit të mjekëve, gjendja shëndetësore e personit plagosur është e rëndë, por stabile.
Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal DRP Pejë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit.