Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës i ka shtuar patrullimet nëpër rrugë pas ndërmarrjes së masave për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, kolonel Fehmi Hoti në një intervistë për Ekonomia Online, ka treguar se patrullat janë shtuar, por edhe ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin me organet e sigurisë.
Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë sa më shumë vendimet e Qeverisë, rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të organeve të Policisë në mënyrë që kjo sfidë të tejkalohet më lehtë.
“Prej datës 25 mars është vendim i Drejtorisë së Përgjithshme që policia të kalojë në orar 12 orësh. Do të thotë jemi të angazhuar me gjithë potenciale që ka policia, në përjashtim të njësive të specializuara të cilat aktivizohen në raste të veçanta”.
“Mirëpo zyrtarët e rendit dhe ata për mbështetje të rajonit të Prishtinës sepse unë mund të flas për rajonin e Prishtinës i kemi të gjitha kapacitetet të angazhuara. Me vet faktin që rritet numri i personelit edhe patrullimet janë më të shpeshta, ka staf më tepër të cilët mund t’i angazhojmë nëpër patrullime dhe detyra”, ka thënë Hoti për Ekonomia Online.
Ai ka falënderuar qytetarët për zbatimin e masave dhe bashkëpunimin me organet e rendit.
“Mund të them se jemi të kënaqur në këtë drejtim përkundër se paraqiteten 30 apo 40 raste përkundër asaj ne jemi të kënaqur që po zbatohet mirë. Ne normalisht duam që të jetë zero që secili ta respektojë në maksimum vendimet por jemi të kënaqur”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se meqenëse masat po zbatohen mirë, policia nuk është detyruar të përdorë forcë.
“Duhet ta kuptojmë që policia është pjesë e qytetarëve, sado që i ka autorizimet policore shkojmë me masa më të buta me arsyen që t’i njoftojmë qytetarët që ta kuptojnë edhe qytetarët se është për të mirën e tyre, për të mirën tonë”.
“Sepse vetëm me bashkëpunimin e tyre arrijmë rezultate. Deri më tani nuk kemi pasur element të përdorim forcë përderisa ka efekte me këto masa”, theksoi kolonel Hoti.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ndihmojnë Policinë duke i zbatuar masat në mënyrë që kjo sfidë të kalohet sa më lehtë.
“I lusim qytetarët që ta zbatojnë vendime dhe këshillat e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, të policisë në mënyrë që së pari ta ndihmojnë veten dhe neve, që bashkërisht ta kalojmë këtë sfidë”.
“Besoj shumë që do ta kalojmë. Por në situata të tilla do të ishte shumë e madhe ndihma e qytetarëve”, ka theksuar Hoti.