Komunës së Prishtinës do t`i rritet numri i të punësuarve me hyrjen në fuqi të Ligjit për kryeqytetin, i cili pritet të kalojë në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Këta të punësuar do të jenë pjesëtarë të Policisë komunale, si dhe stafi i Spitalit të Prishtinës, të dyja këto institucione që është vendosur të krijohen me Ligjin për kryeqytetin, për të cilin kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, ka konfirmuar për gazetën ta ketë nënshkruar së fundmi, në versionin ku parashihet edhe themelimi i policisë komunale e edhe themelimi i Spitalit të Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Komuna e Prishtinës duhet të sigurojë pagat për policinë komunale, pasi që ajo po ashtu edhe do të jetë përgjegjëse edhe për rekrutimin e policisë, ka thënë Hasani, në një deklaratë për “Kohën Ditore”.
Ai ka theksuar se shumë nga detajet e funksionimit të policisë komunale do të definohen me akte nënligjore, siç janë Udhëzimet Administrative, në të cilat do të punojnë bashkë Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Pushtetit Lokal.