Policia e Kosovës për Rajonin e Prishtinës ka konfirmuar grabitjen e armatosur që ndodhi mëngjesin e sotëm në Veternik.
Sipas hetimeve të para dyshohet se në grabitje morën pjesë dy persona, të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri, transmeton Indeksonline.
“Në ora 09:39 është raportuar për një grabitje të armatosur, në një filial banke në lagjen “Veternik” në Prishtinë. Dyshohet se në këtë grabitje kanë marrë pjesë së paku dy persona, të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas informacioneve të deritanishme është ngritur dyshimi se të njëjtit kanë grabitur një shumë parash, vlera e të cilave ka mbetur të konfirmohet nga zyrtarët e bankës, dhe më pas me veturën e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme, këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ka nisur një hetim lidhur me rastin. Ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet e sipërcekura po punohet edhe për identifikim e të dyshuarve të mundshëm”, ka përfunduar Borovci.