Tefik Hyka, biznesmeni nga Shijaku ka mbetur i plagosur sot në Tiranë. Atij i është bërë atentat teksa pinte kafe në zonën e bllokut, përballë stadiumit Dinamo.
56-vjecari ka mbetur i plagosur nga plumbat dhe është duke u trajtuar në spitalin e Traumës.
Informacioni i dhënë më herët nga burimet e gazetarëve në polici, rezultoi i pasaktë. Hyka nuk ka vdekur, por është plagosur në këtë atentat.
Informacioni zyrtar i policisë për ngjarjen
Më datë 28.06.2017, rreth orës 10:25, tek numri i emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Menjëherë janë nisur shërbimet e Policisë të cilët kanë konstatuar se në verandën e një lokali, është qëlluar me armë zjarri shtetasi T. H., rreth 56 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë qenë dy autorë, të cilët janë larguar me një motor.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollohet zona përreth, parkinge automjetesh, garazhe etj, ku dyshohet se mund të jetë parkuar motori me të cilin kanë lëvizur autorët.
Gjithashtu janë sekuestruar pamjet filmike përreth vendit të ngjarjes dhe do sekuestrohen edhe pamjet filmike në të gjitha rrugët e mundshme ku mund të kenë lëvizur autorët.
Janë shoqëruar disa dëshmitarë okularë në vendngjarje.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për sigurimin dhe sekuestrimin e çdo prove që do shërbejnë për identifikimin e autorëve.