Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rrëmbimi i 11-vjeçarit në Shtime ishte inskenuar nga vetë i mituri së bashku me djemtë e axhës së tij që punojnë në Belgjikë.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, gjatë hetimit të rastit, intervistimit të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nxjerrjen e video –incizimeve në disa lokacione në qytetin e Ferizajt, kanë arritur në përfundim se nuk ka të bëjë fare më rrëmbim”, thuhet në njoftim.
I mituri në prani të punëtorit social dhe psikologes ka pranuar se rasti është inskenuar me ndihmën e V.T. 21-vjeçar dhe D.T. 19-vjeçar. Ky inskenim është realizuar për të përfituar dokumentacionin valid të Belgjikës.
“Pas grumbullimit të të gjitha provave, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, janë vënë në kërkim të kushërinjve të të miturit, por sipas familjarëve të tyre ata tashmë ishin kthyer në Belgjikë me të njejtën veturë me të cilën edhe e kishin inskenuar rastin e rrëmbimit”, thuhet në njoftim.
“Policia e ka intervistuar edhe babain e të miturit, (A.T.), i cili e ka pranuar dhe vërtetuar se rasti është inskenuar, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni. Lidhur me hetimet e këtij rasti, është njoftuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt”, thuhet më tej.