Policia e Kosovës, njësitet Policia në Komunitet nga stacioni policor i Gjilanit, kanë evidentuar një numër në rritje të personave që po kërkojnë lëmoshë në pjesë të ndryshme të qytetit e veçanërisht nëpër qendra tregtare, pranë oborreve të xhamive dhe në qendër të qytetit.
Që nga fillimi i vitit, pra në periudhën kohore janar-qershor 2018, nga ana e Policisë së Kosovës, janë evidentuar gjithsej 28 raste të ndryshme, e 3 prej tyre kanë qenë të mitur.
Gjithsejtë janë kontrolluar 46 persona kurse nga ta kanë qenë të rritur 36 dhe fëmijë 10.
“Në bazë të gjetjeve evidente, lëmoshëkërkues nga Republika e Kosovës kanë qenë 36, nga Republika e Shqipërisë 9 dhe nga Republika e Maqedonisë 1. Me vendim të Gjykatës, Divizioni i Kundërvajtjes, 4 persona të rritur të shoqëruar me një fëmijë janë deportuar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.
“Vërtet janë skena jo të mira, dhe shkaktojnë bezdisje për qytetarët, pasi që një numër jo i vogël janë gra dhe fëmijë. Besohet se ofrimi i të hollave nga qytetarët po i josh ata që të jenë të pranishëm duke i ekspozuar edhe fëmijët në ditë me temperatura shumë të nxehta, gjersa shumë shpesh këto ndihma që i ofrojnë qytetarët, me gjithë ndjenjën e humanitetit, ato të holla mund edhe të keqpërdoren nga persona keqbërës”, thotë më tej Policia.
Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore që këta persona të largohen nga rruga.