Policia e Kosovës ka thënë se do të bashkëpunojë me mediat dhe do t’i përkrah ato në interes të formimit të drejtë, korrekt dhe profesional.
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Policia përmes një postimi në Facebook shprehu mbështetje për mediat dhe gazetarët, duke i uruar ta vazhdojnë punën në mënyrë të pacenueshme, shkruan Gazeta Express.
“Policia e Kosovës si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente, duke ditur rolin dhe rëndësinë e mediave dhe gazetarëve në përgjithësi në ofrimin e informatave të rëndësishme për publikun, përkrah dhe bashkëpunon ngushtë me ta në interes të informimit të drejtë, korrekt dhe profesional”.
“Duke njohur sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në realizimin e detyrave të tyre, Policia e Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, shpreh mbështetjen ndaj tyre dhe uron që mediat dhe gazetarët të vazhdojnë të realizojnë punën e tyre në mënyrë të pa cenueshme dhe profesionale në interes të qytetarëve dhe vendit”, thuhet në postimin e Policisë.
Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia tha se “jemi të përkushtuar në ofrimin e ndihmës në aspektin e sigurisë dhe bashkëpunimit me mediat dhe gazetarët, në mënyre që të ju krijohet një ambient më i mirë dhe më i sigurt në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ndaj shoqërisë dhe vendit”.
“Shprehja e lirë dhe mbajtja e opinionit të informuar lidhur me ngjarjet dhe zhvillimet në një vend, e cila realizohet përmes mediave është jetike për një shoqëri të lirë dhe demokratike, andaj PK-ja do vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me mediat në kultivimin dhe avancimin e mëtejmë të lirisë së shtypit”, thuhet në postimin e PK.