Policia mbyll 34 lokale nate dhe legjitimon 389 femra punonjëse

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 11:51 | Nga

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore ka hartuar dhe zbatuar me sukses në nivel vendi, planin operativ “Mars-Prill-Maj 2017” që ka të bëjë me trafikimin e qenieve njerëzore.

Gjatë zbatimit të planit, përveç njësive të ndryshme policore, kanë marrë pjesë edhe inspektorë komunalë të komunave përkatëse dhe zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe me qëllim parandalimin dhe hetimin e kësaj dukurie, janë kontrolluar shtatëdhjetë e një (71) lokale që dyshohej se kryenin aktivitete të kësaj natyre në tërë vendin. Prej tyre, janë mbyllur tridhjetë e katër (34) lokale nga inspektoret komunalë të komunave përkatëse.

Në këto lokale, policia ka legjitimuar 389 femra (238 shtetase të Shqipërisë, 137 shtetase të Kosovës, 7 shtetase të Serbisë, 5 shtetase të Maqedonisë, 1 shtetase e Bullgarisë dhe 1 shtetase e Moldavisë).

Shtetaseve të huaja të cilat nuk kanë prezantuar leje pune dhe qëndrimi në vend, u janë konfiskuar dokumentet dhe janë adresuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj.

Policia gjatë kontrolleve të këtyre lokaleve, ka konfiskuar prova relevante që lidhen me mundësinë e trafikimit me qenie njerëzore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme