Trafiku i ngarkuar dhe parkimi në skaje të rrugëve janë dy prej problemeve kryesore në rrugët e kryeqytetit.
Për lehtësim të qarkullimit dhe rregullim të trafikut së fundmi policia është duke patrulluar me skuterë.
Njësiti i Motoçikletave do të jetë i përhershëm në Prishtinë, përveç kur kushtet atmosferike nuk e lejojnë një gjë të tillë, raporton “038” i KTV-së.
Policia e Kosovës është bazuar në përvojat edhe nga shtetet (kryeqytetet) tjera të rajonit e më gjerë se si ata veprojnë me njësi të ngjashme, por edhe e ka identifikuar nevojën për aktivizimin e kësaj njësie për kryeqytetin. Nevoja për këtë njësit ka qenë si rezultat i statistikave të numrit të madh të automjeteve e sidomos në rajonin e Prishtinës, ku janë të regjistruara mbi 40 % të totalit të veturave në Republikën e Kosovës.
Ekipet e motoçiklistëve janë vazhdimisht në lëvizje.
E pikërisht reagimi më i shpejtë edhe në trafikun e ngarkuar është një prej arsyeve kryesore të aktivizimit të këtij njësiti.
Veprimtaria e kësaj njësie kryesisht do të jetë çështja e trafikut në kryeqytet, rregullimi i trafikut, kontrolli, patrullimet preventive, ndërmarrja e masave ligjore ndaj kundërvajtësit si dhe vendshikimet e aksidenteve të trafikut.
Këta operatorë me skuterë do ta kenë mundësinë e depërtimit dhe reagimit më të shpejtë në kohën e ngarkesave (tollovive) dhe intervenimin për rregullimin e trafikut dhe ndërmarrjen e masave tjera në çdo rrugë të kryeqytetit sipas nevojave dhe kërkesave.
Në Polici e kanë cilësuar të suksesshme javën e parë të punës së këtij njësiti, por nuk kanë prezantuar ndonjë rezultat konkret.
Përderisa në fillim ata kanë qenë në trafik vetëm në ndërrimin e parë, KTV-ja merr vesh se nga e hëna ata do të fillojnë punën edhe në ndërrimet tjera.
Për rritjen e sigurisë në komunikacion, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se së shpejti do të nisë përdorimi i kamerave për shkelje në trafik dhe dënimet me postë.