Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka ndaluar 28 persona të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës dhe autoritetet e shëndetësisë.
Më së shumti ndalime policia ka realizuar në Prizren, në total 17.
Pason Gjilani me 7 persona, për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.
Në Pejë janë ndaluar 3 persona dhe në Gjakovë 1 person.
Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.
Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.
Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.
Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 927 raste me koronavirus; 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.