Policia e Kosovës ka ndaluar katër persona në Pejë, Prizren e Mitrovicë të Jugut, pasi nuk kanë respektuar masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
Siç është bërë e ditur nga Policia, dy persona janë arrestuar në Prizren në dy raste të ndryshme, një person në Pejë dhe një në Mitrovicën e Jugut.
Ndërkaq nga 18 maji, Kosova ka hyrë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, ku ndër të tjera edhe është zgjatur orari i lëvizjes së qytetarëve, nga tri në katër orë. Më 1 qershor pritet të fillojë faza e tretë e lehtësimit të masave, ndërkohë që kryetarët e komunave të Kosovës kanë bërë thirrje që të shqyrtohet shkurtimi i fazës së dytë dhe të kalohet në fazën e tretë.
Lidhur me këtë kërkesë ende nuk ka përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë. Në nivel vendi deri tash 1025 persona janë konfirmuar pozitivë me koronavirus, prej tyre 782 të shëruar dhe 29 të vdekur.