Sot rreth orës 07:20, Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve-DHTN pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, se disa persona (me veturë) janë duke transportuar substancë të dyshuar narkotike, kane realizuar një plan taktik në koordinim me patrullën policore të Stacionit Policor të Novobërdës dhe në udhëkryqin Novobërdë-Gjilan në fshatin Llabjan kanë tentuar ta ndalojnë veturën e dyshuar Pollo me targa vendore.
Gjatë këtij tentimi për ta ndaluar veturën e dyshuar të cekur më lart, personat e dyshuar në veturë duke mos ju bindur urdhrave të zyrtarëve policor kanë ikur me shpejtësi nga ai lokacion dhe policia menjëherë është aktivizuar në ndjekjen e tyre, njofton policia.
Por, “pas rreth një kilometër (1 km) nga lokacioni fillestar, zyrtarët policor kanë arritur ta ndalojnë veturën e dyshuar ku edhe është arrestuar një person, kurse personi tjetër ka arritur të largohet duke tentuar që edhe substancën narkotike ta marrë me vete. Gjatë ndjekjes nga policia, i dyshuari e ka hedhur substancën narkotike me ç’rast janë konfiskuar 5 kg 185 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, vetura e dyshuar dhe shuma e parave prej 925 euro”, njofton policia.
Personit të dyshuar tani më i arrestuar i është caktuar masa e ndalimit, përderisa edhe një person tjetër i dyshuar për rastin ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga autoritetet policore.