Shefi i policisë në Helsingborg, Sven Holgersson, ka thënë se në gjashtë muajt e fundit në këtë qytet ka pasur shpërthime, të cilat ai i ka lidhur me krim të organizuar.
Në një deklaratë për gazetën suedeze “Aftonbladet”, Holgersson, ka thënë se sulmet janë të lidhura me drogë, transmeton Koha.net.
“Për mendimin tim krejt këto kanë të bëjnë me drogë, ekonomi dhe armë”, ka thënë Holgersson.
Kjo deklaratë e tij është publikuar pak orë pasi ndodhi një shpërthim në hyrje të një ndërtese, nga i cili ka mbetur e plagosur vajza e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.
“Aftonbladet” raporton se në shtator një person ka vdekur si pasojë e një shpërthimi nga i cili mori flakë apartamenti i tij. Në muajin tetor, sipas kësaj gazete, një shpërthim kishte ndodhur në hyrje të stacionit policor.
Portali Koha.net ka kontaktuar Nasim Haradinajn dhe ai ka konfirmuar se në këtë shpërthim është plagosur vajza e tij, e cila punon si infermiere në këtë qytet dhe ishte duke u përgatitur për fillimin e studimeve në Suedi.
Në një deklaratë për KTV-në, Haradinaj ka thënë se vajza është plagosur në këmbë dhe ka pasur djegie.
“Sulmi është akt terrorist, por unë nuk e lidhi me punën time këtu. Asnjëherë nuk kam pasur kërcënime nga askush e as vajza nuk është kërcënuar asnjëherë”, ka thënë Haradinaj.
Nasim Haradinaj është përfolur shumë në fundin e vitit të shkuar për shkak të një deklaratës së tij se “punë e madhe që janë vrarë aktivistë të LDK-së”.