Policia në kërkim të dëshmitarëve që mund të çojnë në zbardhjen e rastit tragjik në Pozharan

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Nënkoloneli Remzi Azemi ka thënë se deri më tash janë intervistuar disa dëshmitarë lidhur me vrasjen e katërfishtë në Pozharan të Vitisë.

Ai ka thënë se hulumtuesit janë duke kërkuar edhe dëshmitarë tjerë.

Sipas hetimeve fillestare nuk mendohet se ka pasur dëshmitarë tjerë në shtëpi, ku u vranë katër anëtarë të familjes Zuka.

Dyshohet se kryefamiljari vrau me armë bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, e më pas edhe veten. Ata kishin ardhur nga Zvicra.

“Pos hetuesve të forenzikës, kemi shpërndarë hetues që po hulumtojnë të gjejnë dëshmitarë apo familjarë që kanë njohuri rreth ngjarjes. Deri më tash kemi intervistuar disa dëshmitarë. Për momentin nuk kemi njohuri që ka qenë ndonjë dëshmitar tjetër në shtëpi”, ka thënë Azemi.

Ai ka shtuar se në bazë të kontaktit me stacionin policor në Viti nuk ka ndonjë informatë për ndonjë problem të mëhershëm që ka pasur kjo familje.

“Ju siguroj të gjithëve që do të hetojmë çdo detaj, do të gjurmojmë çdo informacion të mundshëm e nuk do t’i lëmë asgjë rastit. Është objektivi ynë që ta hetojmë çdo detaj, t’i kemi gjitha informatat për të ardhur në përfundim lidhur me këtë ngjarje që na ka tronditur të gjithëve. Nëpërmjet zyrës tona ndërlidhëse do të kërkojmë nga autoritetet e shtetit evropian ku kanë jetuar familjarët që të kemi informacione më tepër”, ka thënë Azemi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme