Policia: Nuk janë thyer zyrat e Federatës së Skitarisë në Brezovicë

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, ajo në Ferizaj, përmes një raporti, ka njoftuar se lidhur me informacionin se gjatë ditës së djeshme janë thyer zyrat e Federatës së Skitarisë në Brezovicë, Kryetari i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi fillimisht ka kontaktuar me telefon Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj, duke thënë se iu kishte thyer zyra në Brezovicë.

“Lidhur me këtë rast, hetuesit e Stacionit Policor në Shtërpcë kanë marrë veprimet e duhura. Në vendin e ngjarjes, në hotelin “Molika”, (ku edhe ndodhet zyra e Federatës së Skitarisë së Kosovës), patrulla e policisë është takuar me nënkryetarin e kësaj federate, Sërgjan Angjellkoviq, dhe së bashku me të kanë shkuar në zyrën e lartpërmendur dhe kanë konstatuar këtë gjendje: Zyra nuk është thyer. Nuk kishte asnjë shenjë të hyrjes me dhunë dhe në zyrë nuk ishte Lap – topi dhe as gjërat e tjera të cilat janë shfrytëzuar aty. Ngjitur me këtë zyrë, ndodhet edhe zyra e drejtorit të hotelit “Molika”, me të cilin hetuesit policor kanë biseduar dhe i njëjti ka thënë se, gjërat nga zyra e Federatës janë bartur me proces-verbal në një tjetër zyrë, nga shkaku se aty pikonte”, thuhet në komunikatë.

“Nënkryetari i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Sërgjan Angjellkoviq e ka vërtetuar, se të gjitha gjërat që ishin në zyrën e mëparshme janë këtu dhe asgjë nuk mungon. Policia e ka vërtetuar gjithashtu se, edhe njëri nga çelësat e zyrës ndodhej në recepcionin e hotelit “Molika”. Lidhur me të gjitha këto, është informuar edhe kryetari i Federatës, i cili ndodhet jashtë shtetit, dhe se të gjitha gjërat tashmë ndodhen në zyrën tjetër”, thuhet në raport të Policisë së Ferizajt.

Hetuesit policor, thuhet në komunikatë, e kanë kontaktuar edhe prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar që të merren deklaratat e punëtorëve dhe të drejtorit të hotelit, si dhe të bisedohet me kryetarin e Federatës së Skitarisë, pas kthimit të tij në vend, me qëllim të verifikimit të ndonjë mungese eventuale të mjeteve nga zyra dhe pas kësaj policia të vendos për veprimet e mëtutjeshme lidhur me këtë rast.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme