Dy të miturit, të cilët u arrestuan të dielën, si të dyshuar për vrasjen e 16- vjeçarit, Aulon Zeka, kanë dalë të hënën para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Duke qenë se seancat gjyqësore për të mitur zhvillohen të mbyllura, “Koha Ditore” ka mësuar nga burimet e saj se edhe para gjykatës, të miturit G. H. dhe R. G. kanë mohuar të “kenë gisht” në këtë ngjarje.
Kjo vrasje, nga hetimet preliminare, dyshohet se ka ndodhur për shkak të simpatisë së Aulonit për të miturën R.G., e cila është 15 vjeç. Ajo dyshohet se është e dashura e të miturit tjetër të arrestuar, bashkëmoshatar me të ndjerin. Armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, policia nuk ka arritur ta gjejë ende, shkruan sot Koha Ditore.
Me kërkesë të Prokurorisë, të miturve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Lajmin për caktimin e paraburgimit e ka konfirmuar për gazetë Zyra për informim e Gjykatës.