Policia parandalon një incident mes shqiptarëve dhe serbëve në lumin Ibër

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka parandaluar një incident mes banorëve shqiptarë dhe serbë të Mitrovicës, pranë një punishte për ndërtimin e një ure të re, në lumin Ibër, që e ndanë Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.

Ndërtimi filloi në një pjesë të lumit, që ndodhet rreth pesëqind metra nga ura kryesore në lumin Ibër.

Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka dhënë leje për vazhdimin e punimeve, pra për ndërtimin e urave në atë vend, ndërsa zbatuesit e projektit konsiderojnë se ata e kanë këtë të drejtë nga ministria kompetente dhe se komuna veriore po i ndalon në mënyrë të paligjshme që ata të punojnë.

“Ndërsa punimet vazhduan edhe sot, komuna në veri urdhëroi prishjen e pjesës që sipas tyre ishte ndërtuar në mënyrë joligjore dhe për këtë arsye kishte ndodhur një grindje fizike. Ne u detyruam që bashkë me njësitë e ndërhyrjes nga jugu, të ndërhyjmë për të mos u shkaktuar prishja e qetësisë dhe rendit publik”, tha Hoti, duke theksuar se punimet ishin pezulluar deri në njoftimin e mëtejshëm të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Policia konfirmoi se nuk ka pasur persona të lënduar gjatë incidentit.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha në një prononcim për mediat se “një grup huliganësh të Mitrovicës së Jugut sulmuan pjesëtarët serbë nga stacioni policor i Mitrovicës së Veriut, të cilët u ofruan ndihmë autoriteteve komunale në përputhje me ligjin, pas vendimit për heqjen e objektit të paligjshëm që bllokon lumin Ibër dhe realizon qëllimin e paralajmëruar të Agim Bahtirit për të marrë Mitrovicën e Veriut”.

“Dhuna ndaj oficerëve të policisë që kujdesen për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve është absolutisht e papranueshme”, tha Rakiq duke shtuar se u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe zyrtarëve të qeverisë së Prishtinës që urgjentisht të komunikojnë me komunën e Mitrovicës së Jugut që të ndalojnë “punimet e paligjshme mbi lumen Ibër dhe ngritjen e tensioneve”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të komunës së Mitrovicës së Veriut të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur, duke deklaruar se në përputhje me ligjin se ata do të ushtrojnë plotësisht kompetencat e tyre “pa marrë parasysh se kjo nuk i pëlqen dikujt nga përfaqësuesit e shqiptarëve nga Mitrovica e Jugut”, transmeton REL.

Lumi Ibër e ndan Mitrovicën në Jug, të banuar kryesisht me shqiptarë nga Veriu, i banuar nga serbët.

Në një faqe lokale nga Mitrovica “Jepi Zë” është postuar një video që shfaq momentin e incidentit.

https://www.facebook.com/jepize02/videos/222536155795803/?t=0
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme