Policia e Kosovës ka shqiptuar 578 tiketa për qytetarët të cilët nuk i kanë respektuar masat antiCovid gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë.
Kështu është bërë e ditur përmes raportit ditor nga policia e Kosovës, të cilët kanë njoftuar po ashtu se kanë shqiptuar edhe 642 tiketa trafiku.
Ndryshe, Policia çdo ditë po shqipton me qindra gjoba për qytetarët të cilët shkelin ligjin antiCovid.
Po ashtu, në disa raste edhe partitë politike janë gjobitur nga inspektoratin policor për shkeljen e këtij ligji, pasi kanë mbledhur në tubime më shumë persona se që është e lejuar me ligj të cilët janë parë edhe pa maska e pa distancë.
Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit në Prishtinë, ka thënë se ligji dhe masat anti-Covid vlejnë për të gjithë, andaj do të shqiptohen gjoba prej 2,000 euro për secilin subjekt politik që do të mbajë tubim elektoral në Prishtinë.
Përkundër thirrjeve të shumta nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) që të respektohen masat antiCovid-19, subjektet politike po vazhdojnë të grumbullojnë numër të madh të qytetarëve, ku disa prej tyre nuk janë të pajisur me maska mbrojtëse dhe në ato tubime nuk respektohet distanca fizike.
Deri më datë 25 janar janë dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.