Policia e Kosovës ka shtuar personelin e saj nëpër Kosovë, diçka që këtyre ditëve është vërejtur më shumë në ambiente të ndryshme përfshirë edhe Aeroportin e Prishtinës.
Por, kjo është pjesë rutinë e planit operativ që ndodhë çdo sezon të verës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, shefi i zyrës për informim i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Ne në planifikimet tona të sezonës verore bëjmë shtimin e personelit policor nëpër qytete, rrugë të ndryshme dhe ambiente apo lokacione që frekuentohen më shumë në aspektin e qytetarëve apo bashkatdhetarëve tanë dhe për këtë arsye Policia ka prani më të shtuar nëpër ato vende… dhe kjo nuk e përjashton as Aeroportin”, tha Kelani.
Sipas tij, fakti që policia vërehet në numër të shtuar nëpër Kosovë nuk duhet të shqetësojë askënd pasi autoritetet e rendit nuk kanë “indikacion për asnjë rast apo shqetësim të mundshëm shtesë”.
“Policia e Kosovës çdo herë bën vlerësimet e saj në aspektin e sigurisë në Kosovë dhe varësisht prej vlerësimeve ndërmerr edhe masa shtesë në ofrimin e sigurisë. Tani për tani situata është e qetë, nuk ka indikacion për asnjë rast apo shqetësim të mundshëm”, ka thënë Kelani.