Policia sqaron “incidentet e ndodhura në disa shtëpi të pabanuara të serbëve në Klinë e Istog”

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Përmes një kumtese për media, Policia e Kosovës ka njoftuar për disa incidente që kanë ndodhur në Klinë e Istog nëpër disa shtëpi të pabanuara të serbëve.

Kjo është kumtesa e Policisë:

Me datën 02.10.2018 rreth orës 08:00 Policia e Kosovës është informuar se në fshatin Grapc-Klinë ishin hapur me forcë dyert e disa shtëpive të pabanuara të komunitetit serb.

Policia e Kosovës, gjegjësisht stacioni policor në Klinë menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, aty kanë takuar dy banore të fshatit Grapc (dëshmitare), sipas të të cilave ato shtëpi janë të pabanuara.

Në vendngjarje nga policët hetues dhe forenzika janë evidentuar dyert e 12- shtëpive të hapura me forcë, ku gjatë shikimit të vendit të ngjarjes vërehet se personat e dyshuar kanë kontrolluar brenda në shtëpi.

Në kuadër të këtyre autorizimeve dhe kompetencave, nga Njësia e Hetimeve stacionit policor në Klinë, në bashkëpunim me njësitë tjera punuese dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, është duke bërë përpjekje maksimale për ndriçimin e këtij rasti.

Në lidhje me rastet është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në terren janë ndërmarrë në koordinim me të. Me udhëzimin e prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si ‘vjedhje e rëndë’, e mbetur në tentativë.

Me datën 02.10.2018 rreth orës 11:00, stacioni policor në Istog është informuar se në fshatin Osojan-Istog, në pjesën e përparme në oborr të objektit të Qendrës rinore në Osojan gjendet një mjet për të cilin dyshonte se ishte mjet shpërthyes.

Në vendngjarje ka dalë një patrullë e Policisë e cila ka bërë sigurimin e tij, e më pas vendit të ngjarjes i janë përgjigjur stafi komandues dhe të gjitha njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale në Pejë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, si dhe njësiti i FSK-së për deminim (EOD), ku pas sigurimit të perimetrit të nevojshëm ka kryer shpërthimin e kontrolluar të mjetit të dyshimtë si granatë dore pa ndonjë problem.

Policia e Kosovës është duke hetuar rastin në vazhdimësi, ku deri më tani janë intervistuar tre (3) dëshmitarë dhe pritet të intervistohen edhe disa persona të tjerë.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në teren janë ndërmarrë në koordinim me të njëjtin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme