Policia: U penguan deputetët, morëm masa për sigurinë e qytetarëve

Prishtinë | 05 Tet 2026 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Protesta e qytetarëve pranë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes, ndërsa situata është tensionuar pas hedhjes së mjeteve të ndryshme, mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve drejt objekteve shtetërore.

Sipas Policisë së Kosovës, një grup protestuesish kanë shprehur pakënaqësinë për mosvotimin e ligjit për Specialen, duke hedhur vazhdimisht sende dhe mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore.

Policia ka bërë të ditur se këto veprime kanë penguar edhe daljen e deputetëve dhe personaliteteve nga Kuvendi, ndërsa disa prej tyre janë detyruar të kthehen përsëri brenda objektit.

Përballë situatës së krijuar, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e objekteve shtetërore dhe mundësimin e qarkullimit të lirë.

Pas thirrjeve të vazhdueshme për protestim të qetë dhe respektim të ligjit, zyrtarët policorë kanë përdorur gazin lotsjellës, me qëllim të krijimit të mundësisë për daljen e personave nga Kuvendi dhe vënien e situatës nën kontroll.

Gjatë protestës janë shkaktuar edhe dëme materiale. Sipas Policisë, janë ndezur disa kontejnerë të mbeturinave dhe zjarre në rrugë, ndërsa janë hedhur mjete piroteknike dhe fishekzjarre.

Megjithatë, Policia ka njoftuar se deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke u bërë thirrje protestuesve që të mos dëmtojnë pronën publike, të mos pengojnë lëvizjen e lirë dhe të respektojnë ligjet.

Njësitë policore do të vazhdojnë të jenë të pranishme në terren gjatë kohës sa protesta vijon, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe objekteve shtetërore.

Të ngjashme