Në një njoftim, Policia e Kosovës ka sqaruar se vëllai i Rexhep Selimit, Ramadan Selimi është liruar në procedurë të rregullt. Kanë sqaruar se i njëjti kishte sulmuar zyrtarin policor. Fillimisht kishte penguar komunikacionin me veturë e më pas nuk kishte përfillur urdhrat e policisë.
“Prishtinë, 02.03.2018. 18:00. Gjatë realizimit të detyrave zyrtare, dy zyrtarë policorë janë marrë me të dyshuarin mashkull/shqiptar kosovar, i cili përveç pengimit/bllokimit të rrugës me veturën (Peugeot me targa vendore) që drejtonte në trafik nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë në detyrë, dhe po ashtu i njëjti ka sulmuar zyrtarin policor gjatë përpjekjeve për të realizuar detyrën”, njofton Policia.
“Është njoftuar prokurori kompetent lidhur me rastin, i dyshuari është shoqëruar në stacion sipas procedurave dhe në prezencë të avokatit mbrojtës është intervistuar, pastaj me urdhër verbal të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
Në anën tjetër, Deputeti i Vetëvendosjes po konsideron se Shteti po i hakmerret duke ia arrestuar vëllain. Rexhep Selimi thotë se dikush ia montoi rastin vëllait të tij i cili ishte konfrontuar me policë.
Deputeti Vetëvendosjes, Rexhep Selimi po del se nuk i ka vëllezërit shumë të rehatshëm. Disa ditë pasi njëri vëlla u plagos, tjetri i është arrestuar pas një përleshje me policë.
“Po duket se hakmarrja filloi. Ta shohim deri ku po shkojnë me montime rastesh sikur ky që po e shoh në media. E kam pritur…”, ka shkruar Rexhep Selimi në llogarinë e tij “Facebook”.