Ne e dimë se disiplina e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se politika jashtme është instrument për mbrojtjen e interesit shtetëror, dhe siç e dimë edhe nga e kaluarakombet e mëdha, nuk janë bërë nga brenda, por për nga jashtë, pra, vetëm një Politikë mjeshtërore e Jashtme, një politikë e veprimeve domethënëse, mundëson një Politikë të brendshme, frytdhënëse, kishte thënë dikur – JoséOrtegaGasset.
Po ashtu vlen të përmendet ajo që kishte thënë njeriu me më influence, reputacion dhe ndikim brenda shtetit francez dhe me gjere në vitet e udhëheqjes së tij me Francën, se “Midis Shteteve nuk ka Miqësi, por vetëm Interesa “, ishpresidenti i Francës,Charles de Gaulle.
Shembujt e lartcekur na tregojnë se Politika e Jashtme e shtetit ndërlidhet jashtëzakonisht shumë me interesin shtetëror, dhe si e tillë duhet konsideruar në vazhdimësi edhe nga diplomatet. Pra, në Demokraci siç e dimë diplomatët zakonisht janë persona të emëruar nga politika, dhe disa te tjerë janë diplomat të karrierës, të cilët nuk ndryshohen sa herë që bëhet ndërrimi i qeverisë. Dhe, zakonisht në botën demokratike diplomatët e mirë janë pasuri e madhe që rrisin fuqinë e shtetit, sepse ata marrin dhe japin informacione të dobishme për shtetin të cilit i japin përgjegjësi, dhe që punojnë për të dhe për llogarinë e tij.
Nga ajo që kemi parë më lartë na rezulton se kemi dy lloje diplomatësh : a) Diplomatet që diplomacinë e kanë profesion, apo karrierë, dhe b) Persona të tjerë të emëruar politikisht, të cilët kryejnë funksione diplomatike. Bazuar në këtë, kemi edhe nëpunësit e ministrive të jashtme që dinë ti bëjnë marrëdhëniet e jashtme aq rutinë, saqë udhëheqësit e lartë e të emëruarit politik mund të vijnë dhe shkojnë pa i ndryshuar shumë marrëdhëniet e vendit.
Gjithashtu, shikuar nga këndvështrimi i një nëpunësi të punëve të jashtme politikanët vijnë e shkojnë kurse politika e jashtme vazhdon. Prandaj, diplomatët e karrierës mundohen ti drejtojnë udhëheqësit e rinj e të emëruarit e tyre, si dhe kontrollojnë rrymat e informacionit që ata marrin.
Pra, gjithmonë politika tenton që të kontrollojë apo ndikoj mbi hartimin e politikave nga ana e nëpunësve të politikës së jashtme, apo agjencive shtetërore të cilat udhëheqin me politikën e jashtme në vendin e caktuar. Por, gjithmonë nëpunësit shtetëror nxitin politika brenda të cilave aftësitë e tyre do ishin vepruese, kurse fuqia e tyre do te rritej.
Por, e kundërta ndodh me të emëruarit politik të cilët tentojnë të zbatojnë politika që zbehin fuqinë nëpunësve dhe ju rrisin atyre, në kuptimin e drejtimit të nëpunësve të rinj shtetëror.
Në këtë kontekst, mund te themi se diplomacia zbatohet përmes ministrive, agjencive, dhe trupit diplomatik, apo edhe përfaqësuesve të huaj në një shtet (ambasadorëve), nga të dërguarit, personat e ngarkuar me misione në qeveritë e tjera, etj. Prandaj, shikuar nga kjo pikëpamje e shtrimit të kësaj çështje mund te themi se për të pasur një diplomaci të fuqishme duhet të kemi një bashkërendim të ideve, veprimeve dhe planeve, nga ana e nëpunësve shtetëror të ministrive apo agjencive të politikës së jashtme, dhe diplomateve që janë të emëruar politik, në mënyrë që të kemi diplomaci sa më vepruese dhe efektive me shtetet tjera të Botës.
Pra, shikuar në përgjithësi Politika e Jashtme, Diplomacia, dhe tiparet e Diplomatit janë të ndërlidhura shumë njëra me tjetrën, ku në njërën anë Diplomacia është art, punë, mjeshtri, teknik, negociatë, shkencë, si dhe punë dhe zeje e një diplomati.
Kurse, në anën tjetër, një diplomat nëpërmjet tipareve të tija qoftë si diplomat karriere apo i emëruar politik, e përdor teknikën e diplomacisë, për ti dhënë kontribut shtetit të vet, në realizimin e interesave shtetërore karshi vendeve tjera.
Në këtë kontekst duhet të themi se parimet në Diplomaci që kanë pasur përvoja të nevojshme mund të ilustrohen përmes shqyrtimit të cilësive të diplomatëve, dhe nga kjo mund të nxjerrim përfundime se një tip i diplomatit të shkëlqyeshëm duhet ti posedoj këto cilësi: Çiltërsinë, Saktësinë, Taktin, Inteligjencën, Qetësinë, Durimin, Karakterin, Modestinë, Besnikërinë, si dhe mbrojtjen e interesave të shtetit të tij, para interesave të vendeve të tjera.
Prandaj, nga ajo që pamë me lartë, ne mund të vijmë në konkludim se Diplomacia si institucion i shtetit dhe si faktor i politikës shtetërore, dhe interesave shtetërore duhet ti kryejë tri detyra kryesore të përfaqësimit, negocimit dhe të vrojtimit. Me qëllim që të sigurojë informacione e duhura për vendin e caktuar, dhe me pas të marri qëndrimet të plota vendimmarrëse, për mundësinë e qasjes së problemit ne mënyrë konkrete, dhe fuqizimit të politikës së jashtme të shtetit përkatës. Ndërsa, Diplomatët përmes tipareve të tyre duhet të përfaqësojnë shtetin jashtë dhe brenda vendit, si dhe të informojnë shtetin, apo ministrinë, agjencinë, lidhur me hartimin e objektivave, strategjive, dhe politikave për politikën e jashtme.