Lideri i Izraelit dhe ai i Serbisë e kanë vetëm një të përbashkët: Janë të perfeksionuar në politikat e persekutimit. Ama janë të shumta arsyet pse kjo strategji nuk do të vazhdojë së funksionuari, shkruan Dahlia Scheindlin, në një analizë për “Foreign Policy Magazine”, që në shqip e sjell sot Koha Ditore.
Qysh moti, kritikët e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e krahasuan atë me nacionalistët joliberalë, si puna e Donald Trumpit dhe Jair Bolsonaros, dhe burrështetasit që konsoliduan kontrolle për të qëndruar në pushtet, si Viktor Orbani dhe Rexhep Tajip Erdogani. Ama për ta kuptuar më mirë aftësinë e mbijetesës së Netanyahut politike, me gjithë telashet – ai përballet me aktakuzë të mundshme për korrupsion dhe së fundi ka dështuar ta formojë Qeverinë – ekziston një krahasim akoma më i mirë: Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë.
Netanyahu dhe Vuçiqi qeverisin me gjithë konfliktet e tyre të dhunshme akoma të pazgjidhura, për të cilat vendet e tyre më të pushtetshme konsiderohen gjithandej si agresore. Që të dy nisën karrierat si propagandues, duke ia portretizuar vendet e tyre përpara botës si viktima dhe shpëtimtare.
Sikurse Izraeli, Serbia është vend i vogël me një mori problemesh dhe që ende është i mbërthyer në hijen e luftërave të njëpasnjëshme të së shkuarës së hershme. Ajo më e fundit – e 1999-s për Kosovën, që prodhoi intervenimin e NATO-s – kurrë nuk është zgjidhur.
Vuçiqi fitoi rëndësi publike gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Porsa i kishte mbushur të 28-at kur u bë ministër Informimi nën aso kohe presidentin Slobodan Milosheviq, më 1998, saktësisht tre vjet pas masakrës së Srebrenicës në Bosnjë. Tri javë para se ta niste detyrën, forcat serbe e ndërmorën një sulm vdekjeprurës dyditor në Kosovë, duke vrarë dhjetëra civilë dhe rrokur vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Serbisë iu desh të shpjegonte shumëçka e Vuçiqi theu dhëmbët në mbrojtje të Beogradit karshi kritikës së huaj. Netanyahu e nisi karrierën e tij diplomatike gjatë krizës, në të cilën vendi i tij u pa si agresor: lufta e 1982-s në Liban. Ishte 32 vjeç kur u bë zëvendësshef i misionit në Ambasadën izraelite në Washington. Pas pak, forcat izraelite lejuan grupin aleat militant të Libanit që t’i masakrojë civilët në dy kampe palestineze refugjatësh, Sabra dhe Shatila, duke e shokuar botën. Netanyahu e mori rolin e kryeshpjeguesit, si ambasador në OKB prej 1984 deri 1988, teksa Izraeli i thelloi okupimet si në Libanin Jugor ashtu edhe në territoret palestineze.