Slobodan Milosheviqit i janë “kalbur edhe eshtrat”, por Kosova nuk i ka dokumentuar akoma krimet e tij. Për evidentimin dhe ndëshkimin e autorëve të mizorive të kryera, lidershipi në Prishtinë ka ndërmarrë një iniciativë tek tash, kur janë bërë saktësisht 20 vjet prej kur bota ngriti aktakuzën e parë kundër “Kasapit të Ballkanit”.
Subjektet në pushtet pasi mbërritën që në Kuvend ta miratojnë një rezolutë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, synojnë edhe vendimmarrjen për ta ngritur një tribunal ndërkombëtar për ta trajtuar këtë krim të Serbisë. Përpara kësaj duan që ta formojnë një komision për dokumentimin e krimeve të luftës, të regjimit serb në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Skena politike është e ndarë në iniciativën. Kryeparlamentari Kadri Veseli, si sponzorizues, insiston që duhet iniciuar vetëm tribunal ndërkombëtar, por opozita konsideron se një i tillë nuk mund të bëhet, meqë çështja duhet kaluar nëpër Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku të drejtën e vetos e ka Rusia, aleat kryesor i Serbisë.
Iniciativa për tribunalin shihet e motivuar politikisht, meqë ka ardhur në kohën kur ndodhet në prag ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, një mekanizëm i drejtësisë me seli në Hagë, e që formalisht është formuar nga institucionet e Kosovës, por përbëhet nga ndërkombëtarët. Kjo gjykatë ka në juridiksion të vendosë ekskluzivisht mbi pretendimet që përmban raporti i senatorit Dick Marty, e në të cilin eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që e kanë luftuar regjimin e Milosheviqit, bëhen përgjegjëse për një numër krimesh të luftës.