​Hoxha: Nëse nuk e ratifikojmë nesër demarkacionin, i humbim afatet për viza

Prishtinë | 27 Shk 2018 | 17:05 | Nga

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ka kërkuar që Parlamenti i Kosovës ta miratojë nesër demarkacionin, pasi vonesat mund t’i bëjnë dëme vendit duke ia humbur shansin për heqjen e vizave në dhjetor. Hoxha në një intervistë për Gazetën Express thotë se nëse vonohet Kosova, vendet e BE’së do ta humbin fokusin dhe do të merren me tema të rëndësishme për Unionin siç është Brex’it dhe zgjedhjet për Parlamentin Europian.

 “Tashmë dihet se të mërkurën në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca në të cilët do të jetë në rend dite ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Gjasat janë reale që pas ratifikimit Kosova ka mundësitë e arritjes së afateve kohore për të hyrë në agjendën e institucioneve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjatë këtij viti të arrihet një rezultat konkret lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.”, ka thënë për Express, Dhurata Hoxha.

Sipas ministres Hoxha, liderët duhet të veprojnë më shpejt për këtë temë pasi që nuk duhet të largohet fokusimi i Bashkimit Europian nga çështja e vizave të Kosovës.

“Liderët politikë në vend, duhet të ecin tutje sa më shpejtë që të jetë e mundur sepse pastaj ne e dimë që në mbledhjen e fundit, në nëntor mbahet mbledhja e Këshillit të BE-së, në agjendë do të jetë BREX-it (largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja), kurse në vitin 2019 fillojnë zgjedhjet parlamentare (në BE) dhe do të kemi një situatë ku humbet fokusi për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pra, duhet të shfrytëzojmë rastin që të ecim përpara”, ka shtuar më tej ajo.

Hoxha më tej ka thënë se pas ratifikimit të kësaj marrëveshje Kosovës i duhet një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian dhe më pas brenda shtatë muajve të hyj në fuqi ligji për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Mirëpo, veç Demarkacionit kusht i cili është kërkuar nga ndërkombëtaret që Kosova të e plotësojë është edhe luftimi i korrupsionit. Për këtë rast, ministrja Hoxha thotë se në këtë drejtim Kosova ka punuar shumë dhe vazhdon të punojë, duke thënë se ky kusht nuk mendon që do ta penalizojë vendin sa i përket liberalizmit të vizave.

“Kushti i cili në vazhdimësi duhet plotësuar, është sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vlerësimi për uljen e korrupsionit, në renditjen globale për 10 vende më mirë, është lajm i mirëpritur, i publikuar ditë më parë nga Transparency international. Kjo është dëshmi se rruga jonë integruese, ka marrë drejtim të pandalshëm, ky detyrim e zotim yni, luftimi i korrupsionit është proces dhe nuk do të ndalet as pas liberalizimit të vizave”, ka treguar më tej ministrja e integrimeve europiane.

Sipas ministres së MIE, Kosova ka punuar shumë për agjendën europiane por për të gjitha vendimet tjera vendoset nga institucionet e Bashkimit Europian.

Ministrja Hoxha, ka sqaruar më tej se Ministria e Integrimit ka filluar t’i bëjë përgatitjet që Kosova në bazë të agjendës evropiane të reformave të prodhojë rezultate.

Sipas saj, në kuadër të MSA-së, Kosova ka marrë përsipër një sërë veprimesh të cilat nënkuptojmë legjislacionin që duhet plotësuar dhe ndryshuar, si dhe reformat në fusha të ndryshme.

“Të gjitha këto, ne duhet t’i bëjmë gjatë vitit 2018, më pastaj do të krijojmë një momentum dhe në koordinim të ngushtë me partnerët tanë dhe me zyrën e BE-së, të përgatisim aplikacionin e Kosovës për statusin e kandidatit. Aplikimi do të bëhet për faktin se vendi ka tri vite që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe janë duke punuar për plotësimin e kritereve dhe reformave që nevojiten për këtë proces”, ka thënë më tutje ministrja Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme