18 vjet nga vrasja e Tahir, Enis dhe Hasan Zemajt: Isa Mustafa kërkon që kriminelët të dalin para drejtësisë

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Sot janë bërë 18 vite nga vrasja e kolonel Tahir Zemajt, Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt.

Në 18 vjetorin e vrasjes së tyre kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Kosova ishte tronditur në vitin 2003.

“Më 4 janar të vitit 2003 Kosova u trondit nga një ngjarje e tmerrshme, nga vrasja e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, kryetar i FRLDK-së në Deçan. Tahir Zemaj, ishte një profil i lartë ushtarak, i shkolluar dhe shumë i përgatitur për taktika lufte, të cilat i jetësoi duke u inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai pas vetes afroi djemtë më të mirë të Dukagjinit, me idealin e vetëm çlirimin, e Kosovës. Kolonel Tahir Zemaj, ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, aktivist dhe i pandalshëm dhe njeri i afërt i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar që kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Për vrasjen tronditëse tash e gati dy dekada nuk dihet asgjë, ndërsa ne si LDK, familjarët dhe të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre kërkojmë që kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Sot, në 18 vjetorin e vrasjes makabre të Kolonel Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, ne si Lidhje Demokratike e Kosovës i kujtojmë me nder dhe krenari këta protagonistë të çështjes kombëtare. Lavdi jetës dhe veprës së Kolonel Tahir Zemaj, Enis Zemaj dhe Hasan Zemaj!”, shkruhet në komunikatë.

Të ngjashme