3 milionë € të ndara për kompleksin memorial “Adem Jashari” i kthehen buxhetit, shkak ligji

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 15:15 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis ka miratuar Raportin vjetor të Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Agjencisë, Bislim Zogaj ka folur për buxhetin e vitit 2019, për të cilin tha se gjithsej nga 6 milionë janë realizuar vetëm 3 milionë euro, kurse janë kursyer 106 mijë euro nga projektet.

“Katër gjetje për vitin 2018 i kemi përmirësuar dhe tani nuk kemi asnjë të metë. Buxheti është rritë për çdo vit. 2019 kemi pasur 6 milionë euro dhe janë realizua 3 milionë euro, 3 milionë euro të ndara për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ iu janë kthyer buxhetit të vendit”.

“106 mijë euro janë kursyer nga projektet. Një problem tjetër që ka qenë në vitin 2019 që është trashëguar nga vitet e tjera ka të bëjë me projektet e amandamentimin për siguri të pronës, ato tri projekte janë anuluar”.

Zogaj me këtë rast ka kërkuar nga komisioni që të ndihmojë në shpronësimin e pronave të cilat janë bërë peng e mos fillimeve të punimeve.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Kuvendi të miratoj ligjin për vlera të luftës, që specifikon se kush mund të ndërtoj lapidar dhe të merr përgjegjësi.

“Kemi nevojë për ndikimin e tuaj në Ministrinë e Mbrojtjes për shpronësimin e disa pronave. Kërkesë e jona është edhe ligji për vlera të luftës të botohet sa më parë nga Kuvendi. Kjo do të siguronte që agjencioni t’i ketë nën menaxhim ndërtimin e lapidarëve”, u shpreh Zogaj.

Mes tjerash, Zogaj ka folur edhe për mjetet financiare të ndara për kompleksin memorial “Adem Jashari” të cilat iu janë kthyer buxhetit.

Përveç kësaj, ai ka përmendur edhe kompleksin memorial “Ibrahim Rugova”, për të cilin mjetet e ndara tash e disa vite iu janë kthyer buxhetit si shkak i ligjit. Ai kërkoj nga komisioni që të mundësoj realizimin e  këtyre projekteve.

“Në vitin 2015 për kompleksin ‘Adem Jashari’ janë bërë shpronësimet, 3 milionë e gjysmë janë ndarë. Në vitin 2018, 1 milionë euro janë paraparë për investime të brendshme, nuk ka qenë buxheti dhe është llogaritur se duhet të kthehen”.

“Kompleksi Ibrahim Rugova janë paraparë 100 mijë euro për riprojektim, është në gjendje me të keqe të mundshme. Nuk mund të veprojmë se aty ka qenë një projekt qe e ka bërë Ministria e Mjedisit, ka filluar punimet dhe janë ndërpre masnej. Nuk e di pse nuk është realizua, mjetet e ndara iu janë kthyer buxhetit të vendit”, ka thënë Zogaj, raporton EO.

Sa i përket projektit të Mehës theksoi se është projekt që ka filluar tash e 12 vjet, por që ende nuk është realizuar.

“Projekti Malet e Berishës është paraparë me fillua ku janë shtëpitë e pastaj me u zgjerua, kemi probleme më të mëdha por pa u shpresua nuk mund të fillojnë punimet. Projekti i Mehës ka filluar para 12 viteve, familjarët po kërkojnë të përfundohet”, tha ai.

Me tej, ai njoftoi se projekti i muzeut i paraparë të përfundojë në vitin 2021 do të realizohet në këtë vit.

“Në vitin 2021 ka qenë e paraparë të përfundohet, por në këtë vit kam marr vendim që të realizohet projekti i muzeut. Kurse sa i përket varrezave të dëshmorëve, ne i kemi kryer procedurat por Ministria e Ambientit është shpreh se nuk ka mjete”, tha ai duke shtuar se kanë mungesë të stafit.

Sa i përket Burgut të Dubravës ai tha se nevojitet siguri 1 metër e 70 centimetra, ky projekt është paraparë të përfundoj me 22 maj të këtij viti por për shkak të pandemisë është shtyrë.

Ai më pas kërkoi që emrat e të burgosurve të jenë të saktë për tu shkruar në lapidar, raporton Ekonomia Online.

Kundrejt drejtorit të agjencionit për menaxhimin e komplekseve, anëtarët e komisionit iu drejtuan me pyetje të cilët kërkuan përgjigje për mos realizim të komplekseve të parapara tash e sa vite.

Kryetari i komisionit, Liburn Aliu, kërkoi të dijë për kohën e shpronësimeve dhe shumë e tyre. Ai gjithashtu u interesua edhe  për 3 milionë eurot nën menaxhimin e kujt është dashur të jenë për memorialin Adem Jashari, por edhe për mjetet për memorialin Ibrahim Rugova.

Bajrush Xhemajl nga PDK-ja kërkoi të realizohet projekti i muzeut sepse siç tha ai është një memorie që duhet shënohet.

Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, tha se prioritet duhet t’i jepet kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa diskutoi edhe për shpenzimet e bëra nga agjensioni në vitin 2019.

Rasim Selmanaj nga AAK-ja tha se vendi e ka humbur mundësinë për ruajtjen e burgut të Prishtinës.

Të ngjashme