AAK-ja kërkon nga mazhoranca ta mbështesë tërheqjen e Trustit, akuzon Qeverinë se po i diskriminon veteranët

Prishtinë | 14 Maj 2022 | 11:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi Parlamentar i AAK-së, ka kërkuar të shtunën që qytetarëve tu mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që krahas rritjes së pagës minimale, të largohen kushtëzimet për veteranët dhe të përfshihen në pagën minimale, raporton Ekonomia Online.

Tre deputetë të AAK-së, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Shemsedin Dreshaj, këtë kërkesë e bën në një konferencë për medie, ku kërkuan që gjithashtu të rritet paga minimale edhe për veteranët, dhe të përfshihen në ligj.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë po ashtu që qeveria duhet ta trajtojë edhe mundësinë e kompensimit të tërheqjes për disa kategori që kanë më pak të hyra në Trust.

“AAK kërkon nga shumica parlamentare që të reflektojnë seriozisht dhe të mbështesin iniciativën e tërheqjes së Trustit, për shkak se ato para janë të qytetarëve të Kosovës dhe në rrethanat në të cilën është Kosova, kjo gjë është elementare që Qeveria mund ta bëjë dhe po ashtu ta trajtojë mundësinë që për një kategori që ka më pak të hyra në Trust, të bëjë kompensimin e tyre”, tha Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale. Tahiri ka kërkuar që të rritet paga minimale dhe gjithashtu veteranët të përfshihen në ligj.

Më tej, ai foli edhe për pagën minimale, teksa tha se vota e tyre kundër dje rreth Ligjit të Pagave ishte për shkak se ata [AAK] duan që në mes të dy leximeve të ngritët paga minimale dhe disa kategori, siç është ajo e veteranëve të luftës, të vendoset në bazë të pagës minimale.

“Në Ligjin e Punës, paga minimale ka një kriter të kalkulimit. Pra, nuk është dëshirë a vullnet i një kryeministri por bazohet mbi katër kritere dhe kriteri i parë është kostoja e shpenzimeve jetësore. Pra, kjo nuk përkon me pagën minimale 250 euro”.

“Dhe e dyta, përcaktimi i pagës minimale për sektorin privat është bërë 250 euro, ndërsa përcaktimi i pensionit, apo ndihmës që jep shteti në rastin e veteranëve, vendosin që t’i largojnë nga kjo skemë. Kjo është diskriminim”, është shprehur Tahiri

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se me përjashtimin e veteranëve nga kategoritë e përfituesve Qeveria e Kosovës ka dhënë dy porosi.

“Me këtë veprim Qeveria e Kosovës apo VV-ja i ka qu dy porosi të gabueshme, një u ka thënë gjeneratave të reja se kushdo që lufton për liri shteti i Kosovës ua kthen kështu qysh ua kthen, d.m.th. i përjashton nga paga. E dyta, i thotë armikut tonë, këta që luftojnë për liri merremi ne me ta. Duhet të shtohet edhe një pjesë në këtë ligj, të marrin pagën, pensionin, të përfshihen në këto kategorizime, por edhe kanë të drejtë ta marrin rrogën dhe pensionin përnjëherë”, tha Berisha.

Kurse, Shemsedin Dreshaj, tha se ligji për paga është diskriminues sepse përjashton shumë kategori.

Dreshaj ka thënë që AAK-ja kërkon që brenda ligjit për pagën minimale duhet të përfshihen edhe disa kategoritë të personave me aftësi të kufizuara të cilat kanë nevoja të shumta.

“Ky ligj është diskriminues, pasi shumë kategori përjashton nga e drejta e përfitimit, në radhë të parë të verbrit, veteranët përjashton hemiplegjiket, tetraplegjikët, paraplegjikët, kategori këto të cilat nuk kanë mundësi të protestojnë, si duket kjo Qeveri dëshiron t’i diskriminojë ata të cilët nuk kanë mundësi fizike të protestojnë kundër vendimeve të padrejta që janë duke u marrë”, ka thënë Dreshaj.

Të ngjashme