AAK-ja shpall zgjedhjet e brendshme, Tahiri thotë se s’ka asnjë kandidat për kryetar

Prishtinë | 26 Nën 2021 | 09:46 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shpallur zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur strukturat e reja të partisë.

Sekretari i kësaj partie Besnik Tahiri, tha në një prononcim për Ekonomia Online se për këtë proces janë përgatitur qe gati pesë muaj.

Por sipas tij, zgjedhjet në parti janë edhe reflektim i atyre lokale të mbajtura 17 tetor. Ai ka sqaruar se deri më tani askush nuk ka shprehur gatishmërinë të kandidojë për kreun e partisë.

“Për momentin nuk ka asnjë kandidaturë për kryetar partie. E kemi një kryetar partie. Kemi hap procesin zgjedhor në të gjitha nivelet e partisë duke filluar prej nivelit më të lartë e deri tek niveli i nëndegës. Do të jetë proces diku rreth pesë mujor i organizuar. Ky vendim ka qenë po ashtu edhe si reflektim i zgjedhjeve të fundit edhe zgjedhjeve të më hershme do të thotë”.

Duke komentuar pozicionin e partisë në nivel vendi ai thotë se edhe pse kanë marrë 12%, kjo nuk është e mjaftueshme dhe se do të bëjnë reformë të thellë.

Tahiri thotë se duhet reflektim serioz ngase në disa komuna kanë pasur rezultatet shumë të dobëta, raporton EO.

“Në këto zgjedhje ne kemi dalë shumë stabil, kemi dalë parti në nivel vendi mbi 12%, me qeverisje jemi partia e tretë në vend me komuna, para Vetëvendosjes. Mirëpo kjo nuk është boll, ne do të bëjmë një reformë të thellë, një riorganizim do të hapim partinë për të gjithë ata që mendojnë në kauzën tonë, në kauzë të djathtë kombëtare të palëkundur edhe kur ka presione të mëdha, gjithmonë në një drejtim të qartë të djathtë kombëtar në funksion të mbrojtjes së interesit qytetar dhe kombëtar”.

“Në disa komuna ne kemi pasur rezultat të jashtëzakonshëm, duke përfshirë këtu edhe Istogun. Në disa komuna kemi pasur ngritje të votës si në Prishtinë e Podujevë dhe në Kamenicë e në disa komuna të tjera. Në disa komuna jemi shumë dobët, duhet me bë një reflektim serioz se çka do të bëjmë. Ky reflektim vjen do të thotë edhe prej pozitës zgjedhore edhe prej analizave që bëhen të brendshme”.

“Kemi pas reflektime më të thjeshta. Domethënë ne kemi pas një takim javën e kaluar ku kemi diskutuar hapur, Kryetari, nënkryetar, sekretar. Edhe vendimi për zgjedhje vjen si rezultat i një reflektimi serioz”.

Shpalljen e zgjedhjeve për parinë e paritë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj me 23 nëntor.

Të ngjashme