Abdixhiku kritikon Kurtin: T’i lësh 1000 pacientë për Boiken Abazin nuk ia vlen, ai i shkreti as aq votues s’i ka

Prishtinë | 26 Pri 2021 | 13:57 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se mos prezenca e kryeministrit në Kuvend ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë tregon mos interesin e tij ndaj kësaj çështje, raporton Ekonomia Online.

“1000 pacientë për një Boiken nuk ia vlen ai i shkreti as aq votues s’i ka”, ka shtuar Abdixhiku.

“Kjo pamje tregon që e ka një kryeministër të pa interesuar, po bëhen 1 muaj e katër ditë prej votimit të qeverisë dhe jemi në pandeminë ditët s’kanë rëndësi sepse çdo dy orë një qytetarë vdes për shkak të pandemisë. Unë nuk pres që të bëni mrekulli menjëherë po pres që kryeministri të jetë këtu”.

Fjalimi i plotë i Kryetarit të LDK-së:

 Të nderuar kolegë deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Kjo pamje flet shumë! Një qeveri që në temën më të rëndësishme me siguri në  20 vitet e fundit, nuk e ka kryeministrinë në seancë. Kjo tregon që ka një kryeministër të pa interesuar për pandeminë.

Një qeveri që e lenë Ministrinë e Shëndetësisë vet, tregon se sa pak e kupton pandeminë! Sepse, pandemia nuk është vetëm shëndetësore, është çështje e arsimit, e ekonomisë, e infrastrukturës e politikës së jashtme, për të siguruar vaksina.

Një fjalim i shumicës parlamentare në fillim që flet ende për testime, kur bota flet për vaksinim!

Po bëhen një muaj e katër ditë, që kur është votuar Qeveria e re e Republikës së Kosovës. Këto 34 ditë qeverisje, s’do të kishin peshën e vet të numërimit me saktësinë e tyre ditore, sikur të mos ishim në krizën më të rëndë shëndetësore në 100 vjet, pra në pandemi.

Por, ja që jemi. Jemi në pandemi. Dhe në këtë krizë të thellë shëndetësore e ekonomike, politike e shoqërore, ditët më s’kanë rëndësi; rëndësi kanë orët. Sepse, çdo dy orë në Kosovë, një qytetar i joni vdes.

Çdo dy orë, një qytetar i joni vdes!

Kur kjo seancë të ketë mbaruar, dy qytetarë tanë, prindër a fëmijë të dikujt, do të kenë ndërruar jetë për shkak të COVID-19. Dhe dy të tjerë pas tyre; e deri në mbrëmje e në fund të ditës plot 10 bashkëqytetarë tanë s’do të jenë më. Ky cikël përsëritet çdo ditë.

Për 34 ditë qeverisjeje, rreth 340 qytetarë tanë kanë ndërruar jetë.

Ky është bilanci i përballjes me pandeminë

Prandaj, ditët kanë rëndësi, 34 ditët e para tuaja kanë rëndësi.

Tani, që të jem i drejtë, nuk pres që ju si klasë politike e si pushtet të bëni mrekullinë. Ndonëse i keni krejt, megjithatë e kuptoj se në kohë të shkurtër – e për më tepër, thënë të drejtën, duke njohur mirë aftësitë tuaja të punës konkrete – nuk pres shumë.

Siç nuk prita gjë kur mbyllët menjëherë ekonominë, hapët kufijtë, shkuat në pushim, u shkaktuan mbi 10 milionë euro dëm ekonomik, u hapët sërish – pa asnjë efekt e ndryshim; përveç disa humbjeve milionëshe në këtë ekonomi të rënduar edhe ashtu.

Gjithsesi, do të ishte jo etike, e tërësisht jo njerëzore, që gjithë këtë tragjedi t’ia faturojë një kabineti qeverisës; as këtij këtu, as atij paraprak, e as atij para tij.

Pra, zgjidhje të menjëhershme nuk pres, ndonëse zgjidhja e shpejtë duhet të mbërrijë. Vaksinat duhet të vijnë, sidomos tani kur ka vaksinë. E kur nuk vijnë gjëja e fundit që duhet të bëni është t’i vërsuleni mediave të lira me kërcënim.

S’ju kanë faj ato për dështim.

Pra, në këtë fillim zgjidhje nuk pres.

Por, gjëja e fundit që pres, është që në kulmin e pandemisë, në rekordet më të larta të vdekjeve në vend, të tregoni mungesë të plotë ndjeshmërie e përkushtimi për gjendjen me të cilën qytetarët tuaj ballafaqohen në këtë vend.

Kur çdo dy orë një kosovar vdes, deputetët e këtij pushteti që i ka krejt kanë zgjedhur organizimin e protestave për hidrocentrale në Lumin e Thirrës në Shqipëri.

Të tjerët rend, kur çdo orë një kosovar këtu vdes, shpërndanin fletushka fushatash në Lezhë, Gjirokastër e Tiranë. Merreni me mend. Jo të interesohen për qytetarët nga ku burojnë vet, për kushtet e medikamentet e mijëra njerëzve në këtë vend, por të nisen nga këtu si pushtet, e të përfundojnë si opozitë në një tjetër vend.

Kur çdo dy orë një kosovar këtu vdes, Kryeministri i tyre, i tyre e i joni pa dallim, ka vendosur të bëjë fushatë në Shqipëri. Në dy javë ditë kohë, ky Kryeministër ka vizituar Shqipërinë disa herë; e Qendrën Infektive këtu me repartet përreth, të mbushura me 975 pacientë, shumica në gjendje të rëndë – as edhe një herë. I bëjë thirrje që të këtë vizitë sa më parë! Të kuptoj më afër gjendjen e njerëzve, pacientëve e mjekëve që po përballen me këtë krizë.

I bëjë thirrje që punën e parë në çdo mëngjes t`ia nis nga QKUK!

Një mijë kosovarë të shtrirë në spiatale këtu; 10 minuta larg zyrës së tij, nuk ja vlejnë të marrin vëmendjen para një fushate të pakuptimtë, të pa kohë, të paprecedentë – në qarkun e Lezhës, Gjirokastrës e Tiranës.

1000 pacientë për një Boiken, nuk ia vlen, ai i shkreti, as aq votues nuk i ka!

Dhe as që dua të flas shumë për pasojat politike e diplomatike kur një Kryeministër Kosove interferon në një proces zgjedhor të një shteti tjetër – të shtetit më mik që Kosova ka. Kjo pjesëmarrje e paprecedentë do të mbetet njolla më e rëndë e zyrës që ai përfaqëson e na përfaqëson. Ajo tregon dobësi.        

Kryeministri i Kosovës – si pozitë e si individ s’ka dallim – duhet ta kuptojë se para vetes ka vetëm një shtet, një qëllim e një punë: Republikën e Kosovës! Ai ka për detyrë t’u jep shembull fëmijëve e të rinjve se shteti i tyre ka vlerë. T’u jep shembull votuesve se puna për ta është e pazëvendësueshme. T’u jep bindje secilit se për të e secilin tjetër nuk ka atdhe rezervë. Tu jep shembull mijëra të infektuarve në Kosovë, të 975 të hospitalizuarve; 10 familjeve që çdo ditë që mbesin pa të afërmit e tyre – se Kryeministri i Kosovës edhe kur s’mund të bëjë gjë – është me ta. Afër tyre. Në përpjekjen e njëjtë të tyre.   

Qytetarët e Shqipërisë i dhanë përgjigje një aventure të tillë. Disa qindra vota për gjithë fushatën në kulm të pandemisë. Ata kanë qeverinë e vet. Do të kenë politikanët e vet. I kanë edhe vaksinat që po ju vinë vazhdimisht. Edhe hapjen ekonomike para verës shpejtë.

Qytetarët e Kosovës ndërsa, mbesin në pritje për të parë punën e premtuar kaherë. Mbesin në pritje të vaksinave. Ekonomia vazhdon të jetë në kapacitet jo të plotë. E vdekjet vazhdojnë të jenë të larta!

Këta, votues tuaj e tonë pa dallim, duan të ndjenjë dorën e shtetit, Kryeministër.

Të vaksinohen, të hapen, t’i kthehen normalitetit.

Ty, të kanë kryeministër. Dilju zot!

Edhe kur s’mundesh, përpiqu së paku!

Të ngjashme