Abdixhiku: Shkarkimi i Veliut nga Kurti ishte si kurth shahu për rrëzimin e qeverisë

Prishtinë | 05 Jan 2021 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se shkarkimi i minisrit të Brendshëm, Agim Veliut, nga kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, ishte e ngjashme si një strategji në lojën e shahut.

“Ne kemi diskutuar në një mbledhje lidhur me kompetencat e kryeministrit. Në atë mbledhje kanë qenë të pranishëm Besnik Bislimi, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti dhe unë. Në mbledhjen e shtatë kemi diskutuar për këtë situatë hipotetike. Mirëpo nëse kryeministri e shkarkon një ministër pa na njoftuar… është thënë se nëse vjen puna deri aty, duhet të ndërpritet bashkëpunimi”, ka thënë Abdixhiku në emisionin “Pressing”.

Ai  gjithashtu tha se shkarkimi ka qenë kurth i qëllimshëm që të rrënohet qeveria dhe të rritet popullariteti.

“Në shah është një hapje me kurth përmes së cilës hapet mbretëresha për kundërshtarin, që më pas të jepet shah-mat. Hapja e mbretëreshës duket si gabim, por në fakt është kurth. Në rastin tonë, mbretëresha ka qenë qeveria”, ka thënë Abdixhiku.

“Unë besoj që është vënë një kurth i qëllimshëm që të rrënohet qeveria me bindjen që të rrihet popullariteti. Unë kam qenë kundër këtij kurthi, se e kam parë këtë kurth”, shtoi Abdixhiku

Të ngjashme