ACEEEO shpërbëhet në heshtje, KQZ-ja kishte votuar për përjashtimin e institucioneve të zgjedhjeve të Rusisë dhe Bjellorusisë

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 13:55 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europian (ACEEEO) është shpërbërë në heshtje.

Deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të dështimit për të arritur kuorumin për të votuar për përjashtimin nga ky asociacion të institucioneve të zgjedhjeve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Sipas statutit të ACEEEO-s, përjashtimi bëhet me 2/3 e votave, por kjo nuk është arritur gjatë procesit të votimit, pasi nuk kanë votuar të gjithë anëtarët institucionalë.

Për shpërbërjen në heshtje të ACEEEO-s ka njoftuar në mbledhjen e KQZ-së, kryetari i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi. KQZ-ja e Kosovës kishte votuar më 7 mars për përjashtimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga ky asociacion.

“Ju njoftoj se Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europian është shpërbërë në heshtje. Kjo ka ndodhur për shkak të dështimit për të arritur kuorumin për të votuar për përjashtimin e dy institucioneve të zgjedhjeve, të Rusisë dhe Bjellorurisë. Përjashtimi nga ACEEEO, sipas statutit, bëhet me 2/3 e votave, por kjo nuk është arritur gjatë procesit të votimit, pasi nuk kanë votuar të gjithë anëtarët institucionalë. Më 7 mars, KQZ-ja e Kosovës ka votuar për përjashtimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga ACEEEO, si dhe e kemi informuar Sekretariatin e ACEEEO që nëse kjo nuk ndodhë atëherë edhe KQZ-ja e Republikës së Kosovës do të tërhiqej nga anëtarësia në këtë asociacion”, tha Radoniqi. 

Pakënaqësitë e anëtarëve institucionalë në ACEEEO filluan pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, e cila u mbështet edhe nga Bjellorusia. Në këto rrethana, shumë anëtarë filluan të kërkojnë përjashtimin e institucioneve të zgjedhjeve të këtyre dy shteteve.

Në deklaratën e KQZ-së, të datës 7 mars, që i është dërguar Sekretariatit të ACEEEO-s, theksohej se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i bashkohet thirrjeve kundër agresionit të Federatës së Rusisë në shtetin e pavarur të Ukrainës dhe solidarizohemi me kolegët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës dhe të gjithë shtetasit ukrainas. Ky agresion rus është një sulm i papranueshëm kundër një shteti të pavarur dhe sovran, por edhe kundër demokracisë dhe liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nëpërmjet zgjedhjeve”.

ACEEEO ishte themeluar në fillim të viteve 90’ta të shekullit të kaluar, pas rënies së komunizmit, me qëllimin e qartë për të forcuar institucionet zgjedhore demokratike dhe për të promovuar procese dhe procedura të shëndosha demokratike mes anëtarëve të saj dhe të tjerëve të përfshirë në procesin zgjedhor. ACEEEO përbëhej nga anëtarët instituiconalë, pra institucione që merren me menaxhimin e zgjedhjeve dhe referendumeve. ACEEEO kishte në përbërje 25 anëtarë institucionalë, pra 25 shtete të ndryshme, ku bënte pjesë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i cili ishte anëtarësuar me të drejta të plota në shtator të vitit 2016.

Të ngjashme