Ahmeti: Partive do t’u duhet ta presin Pacollin për ta formuar Qeverinë

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Arben Ahmeti, ka thënë se partitë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate i kanë votat për formimin e Qeverisë së re, por sipas tij, kjo Qeveri do të jetë e kufizuar në kuptimin e votave.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se këtyre partive do t’u duhet të presin për kthimin e Behgjet Pacollit nga Zvicra në mënyrë që ta përfshijnë edhe partinë Aleanca Kosova e Re në koalicion.

“I kanë votat, por është Qeveri e kufizuar në kuptimin e votave që i ka për shkak se i gjithë pritet t’i ketë 67 deputetë. Kujtojmë se Vjosa Osmani, Fatmir Rexhepi, Haxhi Abdyli dhe Haxhi Shala kanë shprehur hezitim për ta votuar Qeverinë e re”.

“Kur e shtojmë këtu edhe numrin e një deputeti nga minoritetet që është deklaruar kundër kësaj qeverie, atëherë numri që mbesin pro kësaj qeverie është 62 – që i bie se do të varet nga partia Aleanca Kosova e Re”.

“Behgjet Pacolli ka qëndruar jashtë gjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë. Kam përshtypjen se do t’iu duhet ta presin atë [Pacollin] derisa të kthehet nga Zvicra”.

“Mendoj se secila nga partitë që synojnë ta bëjnë koalicionin janë duke provuar të kapin sa më shumë pozita. Nuk shoh problem në arritjen e marrëveshjes. Problemi i përbashkët i këtyre partive ka qenë largimi i Albin Kurtit nga pushteti”.

Të ngjashme