Ajeti: Në takimin Biden-Putin nuk u raportua se bisedimet për Kosovën ishin pjesë e agjendës

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Faruk Ajeti, bashkëpunëtori shkencor në Institutin Austriak për marrëdhënie ndërkombëtare, ka thënë se në pamje të parë takimi i zhvilluar mes Joe Biden, presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, është dukur së ishte i shoqëruar pa provokime dhe tensione.

“Pamjet e para që dolën nga ky takim janë optimiste, kjo me shpresë se mund të ketë dakordësim nga të dyja fuqitë bërthamore. Në fillim të takimin Biden theksoi rëndësinë e këtij takimi që ka me homologun e tij rus. Ndërsa Putin kishte deklaruar se shpreson për një takim produktiv. Nuk është paraparë ndonjë datë e përbashkët apo ndonjë konferencë e përbashkët në mes dy liderëve”.

“Deri tani nuk dihet se çfarë është diskutuar apo për çfarë janë pajtuar palët, liderët mund të kenë qëndrime të ndryshme në tematikat që kanë diskutuar. Mirëpo ky takim është iniciuar nga Biden që të zhvillohet në një vend neutral, për Putinin ky është njëri nga takimet e shpeshta me presidentët amerikanë. Biden është homologu i pestë amerikan që Putin takon që nga viti 2000. Raportet SHBA-Rusi tani janë në një nivel më të ulët që ekziston që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik”.

Ajeti në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se në këtë takim nuk është raportuar se është diskutuar për Kosovën.

“Vend për të diskutuar për Kosovën sigurisht që mund të ketë pasur, por nuk besoj se në këtë takim është folur për Kosovën apo edhe Ballkanin Perëndimor. As njëra palë nuk e ka konfirmuar se mund të diskutohet në këtë takim për këto tema, deri tani nuk kemi asnjë informacion se kjo mund të ketë qenë pjesë e agjendë së tyre”, ka thënë Ajeti.

Të ngjashme