Albena Reshitaj e pranishme në sallën e Kuvendit

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, po merr pjesë në vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit, përkundër thirrjeve të bashkëpartiakëve të saj që të mos jetë pjesë e kësaj seance, raporton Ekonomia Online.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur në sallë për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedh presidentin e vendit.

Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Të ngjashme