Albin Kurtit i kanë mbetur vetëm 6 ditë për ta bërë Qeverinë

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Ka filluar numërimin së prapthi për ditët që i kanë mbetur kreut të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u bërë kryeministër. Një afat i tillë kohor për Kurtin është aktivizuar pasi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar ka lëshuar një dekret përmes të cilit i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, emrin e Albin Kurtit si kandidat potencial për kryeministër. Afati, Kurtit i skadon më 4 shkurt.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje assesi nuk po arrijnë të gjejnë dakordim për krijimin e një koalicioni në bazë të së cilit do të qeverisnin për katër vitet e ardhshme.

Edhe përkundër faktit që kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit, dy partitë insistojnë në ofertat e tyre, duke mos lëshuar asnjëra palë pe.

Partia e Isa Mustafës insiston në ofertën e bërë më 8 janar sipas të cilës kërkon pesë ministri, kryetarin e Kuvendit dhe propozimin për Presidentin, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk mund të kthehen parapa në zhvillimet e 26 dhjetorit ku Glauk Konjufca ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përcjell Gazetaexpress

Kurti në një prononcim për media dje pas takimit ka lënë të kuptohet se LDK insiston në ofertën e tyre dhe sipas tij nuk mund të ketë marrëveshje me qasjen “merre ose lëre”.

Në takimin e fundit mes dy partive kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të QUINT-it dhe shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Në një deklaratë të përbashkët nga QUINT kanë sqaruar se nuk është roli i tyre të ndërhyjnë në negociatat për krijimin e qeverisë, por vetëm për t’u njoftuar me diskutimet dhe ofertat që palët i kanë bërë njëra tjetrës.

Ndërkohë tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë modaliteti që dy partitë do ta gjejnë për të shkuar drejt një marrëveshje, dhe nëse Albin Kurtit, i cili ia doli ta çojë Vetëvendosjen drejt fitores në zgjedhjet e 6 tetorit, i ka mbetur edhe ndonjë kartë (opsion), për ta shpëtuar fitoren dhe për ta drejtuar Qeverinë e re dhe nëse Isa Mustafa do t’i ndihmojë si partner në këtë synim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme