Ambasadori amerikan: SHBA dhe Greqia mbesin partner të ngushtë në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 09 Qer 2022 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Niko Dendias, për vizitën e tij në Kosovë.

Hovenier shkroi se SHBA-ja dhe Greqia mbesin partnerë të ngushtë në Ballkanin Perëndimor.

“Faleminderit Nikos Dendias për diskutimin e shkëlqyer dhe për vizitën tuaj në Kosovë. SHBA-ja dhe Greqia mbesin partner të ngushtë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi ambasadori amerikan të enjten.

Kurse ministri grek gjatë ditës së djeshme njoftoi se ka takuar Shefat e Misioneve dhe Zyrave të Organizatave Ndërkombëtare dhe Rajonale në Prishtinë si dhe Ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Në këto takime ai tha se diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën gjeopolitike rajonale, dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“U takova me Shefat e Misioneve dhe Zyrave të Organizatave Ndërkombëtare dhe Rajonale në Prishtinë dhe Ambasadorët e QUINT – fokusuar në situatën gjeopolitike rajonale, dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Dendias në Twitter.

Për takimin që pati me Dendias është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se marrëdhëniet Kosovë-Greqi janë duke u afruar.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë. Është një dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kënaqësi të pres për një darkë mbrëmë ministrin e Jashtëm të Greqisë Niko Dendias”, shkroi Kurti.

Të ngjashme