Analiza e PE-së: Zgjidhja e çështjes së Kosovës duket më larg se kurrë

Prishtinë | 13 Shk 2019 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Evropian në një analizë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsideron se zgjidhja e sfidave të ndërlikuara politike duket më larg se kurrë, qëndrimet kontradiktore janë edhe të forta dhe zgjidhja duket larg.

Raporti i departamentit analitik të PE-së i titulluar “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës: konfrontimi ose normalizimi”, thekson se mbi 100 vende, përfshirë 23 vende anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por se “njohja e plotë e Kosovës dhe anëtarësimi në shumicën e organizatave ndërkombëtare ende është larg “, transmeton Klan Kosova.

Në raport theksohet se Kosova dhe Serbia duan të jenë anëtarë të BE dhe se blloku këmbëngul që Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën para se të bëhet pjesë e saj.

“Në fazat e hershme të negociatave ndërmjet dyja vendve me ndërmjetësimin e BE-së që filloi në vitin 2011 negociatorët u fokusuan në problemet praktike në shpresën e suksesit në zgjidhjen e këtyre problemeve për të ndërtuar besimin dhe për të krijuar kushte për zgjidhjen e çështjeve më të vështira politike të tilla si autonominë e serbëve të Kosovës, thekson raporti.

“Për një kohë dukej se kjo qasje funksionon, duke prodhuar një seri marrëveshjesh të cilat kulmuan në marrëveshjen e vitit 2013. Me marrëveshjet e Brukselit dhe ato pasuese të vitit 2015, për Asociacionin komunave serbe”, transmeton Klan Kosova.

“Megjithatë, që atëherë, procesi është ndalur, potencohet në analizë, duke treguar se palët kanë kundërshtuar edhe çështje teknike si rrjetet e energjisë elektrike dhe regjistrimi i automjeteve”.

“Zgjidhja për sfidat më të komplikuara politike duket më shumë se kurrë, jo një palë e vetme është e gatshme të bëjë lëshime edhe në këmbim të anëtarësimit në BE”.

Në analizë mes tjerasht thuhet se çështja e korrigjimit të kufirit e përmendur në 2018 ngriti shpresat për një rrugë të mundshme përpara, por kundërshtimi vendas dhe ndërkombëtar ndaj kësaj ideje duket i pakapërcyeshëm.

“Në vitin 2018, presidentët kosovarë dhe serbë dolën me idenë e një “korrigjimi kufitar”, ndoshta duke përfshirë shkëmbimin e veriut të Kosovës për rrethet serbe me shumicë shqiptare. Megjithatë, propozimi është kritikuar nga Gjermania, e cila ka frikë se çdo shkëmbim territorial rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri duke vënë në pikëpyetje kufijtë e Ballkanit Perëndimor”.

“Ekziston gjithashtu një kundërshtim i fuqishëm i brendshëm për këtë lëvizje në Kosovë dhe Serbi. Megjithë presionin në rritje ndaj të dyja palëve për të arritur më në fund një marrëveshje që mund të hapë derën e anëtarësimit në BE, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe përparimi drejt normalizimit kanë mbetur në një pikë”, transmeton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme