Avokati Musa: Në rastin “Veteranët” kishte presion nga një pjesë e spektrit politik

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë sot i ka shpallur të pafajshëm personat e akuzuar në rastin e njohur si “Veteranët”.

Skender Musa i cili ka qenë mbrojtës i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se trupi gjykues e ka treguar një paanësi dhe pavarësi të plotë në shpalljen e këtij aktgjykimi, pavarësisht presionit që është bërë nga një pjesë e spektrit politik.

“Në fakt sot trupi gjykues e ka treguar një paanësi dhe një pavarësi të plotë përkundër presionit të madh që ka qenë nga shoqëria civile dhe nga një pjesë e spektrit politik që të shpallen fajtorë të akuzuarit”.

“Nuk mund të shpallet askush fajtor me një aktakuzë të paargumentuar – madje të akuzojë dikë se ka kryer veprën penale ‘shpërdorim i detyrës zyrtare’ pa e specifikuara asnjë element”.

“Gjithçka ka qenë e qartë që nga fillimi se aktakuza ka qenë e nxitur politikisht kundër komisionit për shkak se dy vendimet qeveritare të komisionit ua kanë dhënë mundësinë anëtarëve të komisionit që për të gjithë veteranët të kërkojnë lista nga zinxhiri komandues i zonave operative dhe anëtarët e komisionit kanë marrë lista nga zonat operative të UÇK-së në Kosovë”.

Sipas tij, ka qenë e pamundur që një anëtar i komisionit t’i njeh të gjithë veteranët në të gjithë territorin e Kosovës.

“Në ngritjen e aktakuzës ka pasur gisht politika, ndërsa në pjesën e vendimmarrjes kanë bërë përpjekke të ndikojnë, por ka qenë e pamundur sepse trupi gjykues është treguar tepër profesional dhe i pavarur dhe ka vendosur në favor të drejtësisë”.

“Kjo sepse prokuroria nuk ka qenë në gjendje t’i përcaktojë elementet bazë për t’i vërtetuar veprat e pretenduara penale”.

“Elementi kyç që ka rënë është se prokurorët nuk kanë qenë në gjendje të vërtetojnë sa veteranë i ka Kosova; atëherë si mund ta dinë se për sa është rritur numri i veteranëve”.

“Aktakuza ka pasur të meta jashtëzakonisht të shumta dhe do të kishte me qenë tragjedi nëse këta njerëz do të shpalleshin fajtorë me gjithë këto të meta të aktakuzës”.

Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme