Bahtiri dorëzon peticionin për bashkimin e Mitrovicës, Veseli thotë se ky qyteti do të jetë i Kosovës

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 10:29 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri i ka dorëzuar kryeparlamentarit Kadri Veseli peticionin për bashkimin e qytetin e Mitrovicës me 16 mijë e 594 nënshkrime të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Bahtiri tha se kërkon nga institucionet e Kosovës ta bëjnë Mitrovicën një, me një kryetar e pa dalime etnike.

“Ju e dini kryetar që 15 mijë banorë të shpërngulur nga pjesa e veriut shqiptar ende jetojnë në mëshirën e padrejtësisë që iu ka bë dhe jetojnë në pjesën e jugut si refugjatë në qytetin e vet”, tha Bahtiri.

“Tani qyteti i Mitrovicës së Veriut është duke u udhëhequr nga strukturat paralele. T’i bëjmë peticionin dhe t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës që në emër të qytetarëve, në emër të asaj sakrifice, por edhe në emër të serbëve që janë të bllokuar”.

“… kërkoj dhe ju lutem vëllazërisht që këtë të drejtoni në institucioni që ju e drejtoni dhe një vendim presim që së shpejti të vije që të bëjmë një status me një kryetar pa dallime etnie”, tha ai.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Mitrovica do të mbetet për jetë e Kosovës, raporton EO.

Sipas tij, peticioni do të trajtohet në mënyrën shumë serioze do të shkoj në komisionin përkatës parlamentar.

“Është një peticion do të trajtohen në Kuvendin e Kosovës në bazë të procedurave që kemi. Kemi shumë njerëz të cilët e kërkojnë të mbrohen të drejtat e tyre nga ne. Ne do të punojmë bashkërisht nuk do te ketë acarim eskalim të situatës”.

“Mitrovica është qyteti i mitrovicasve, peticioni do të trajtohet në mënyrën shumë serioze do të shkoj në komisionin përkatës parlamentar dhe do të kemi momentin e vendimmarrjes. Mitrovica është e mitrovicasve dhe Mitrovica do të jetë përjetë e Kosovës”, tha Veseli.

Inicimi i këtij peticioni ka filluar në fund të vitit të kaluar, ku janë mbledhur mbi 16 mijë e 500 nënshkrime nga dy komunitetet, shqiptarë dhe serb.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës, pas miratimit të një vendimi në lidhje me inicimin e procedurës për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, e cila është refuzuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), morën vendimin për të iniciuar një peticion për bashkimin e këtij qyteti, kërkesë kjo e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri.

Vitin e kaluar me vendim unanim të 31 këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, u miratua konkluzioni i datës 30 nëntor për inicim të procedurës për bashkimin e qytetit të Mitrovicës me anë të një peticioni.

Të ngjashme