Behramaj: Që vjen dita që Kurti nuk e heq kurrë kravatën prej qafës, kurrë nuk do e besoja

Prishtinë | 29 Kor 2021 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçit, Adil Behramaj, ka ironizuar me Albin Kurti, duke thënë se ka filluar t’i pëlqej shumë vendosja e kravatës, sa që nuk po mundet ta heq edhe në temperaturat e nxehta.

Postimi i plotë:

Në këtë zagushi vere, fort po me dhimbset edhe kryeministri Kurti. Kallet i shkreti me atë kravatë ngjitur. Ama, nëse veç pak rikthehemi në kohë, kravatat e politikanëve, Vetëvendosje gjithmonë i ka pasur simbole të talljes publike. Në një përpjekje publike të ironizimit me politikanët, aktivistët e saj ua patën ngjitur kravatat edhe çuranëve midis Prishtine. E për që vjen dita që Albin Kurti, i cili veshjet e politikanëve me kravata atëherë i quante edhe si veshje përjashtuese dhe formë shtypjeje ndaj popullit, tash nuk e heq kurrë kravatën prej qafës, kurrë nuk do e besoja. Aq shumë është ekzaltuar prej pushtetit, saqë me kravatë ngjitur sigurisht edhe po kotet e përgjumet.

Paramendoni tash, kravatën nuk e hoqi as në udhëtimin emergjent me helikopter për Kroaci. Nuk e hoqi as kur homologu i tij kroat, i cili në shenjë solidarizimi me viktimat e fatkeqësisë në Sllavonski Brod, jo vetëm që kishte hequr kravatën kur e priti Kurtin si nikoqir, por i kishte anuluar edhe të gjitha aktivitetet zyrtare.

Pra, ndër të tjera, ajo që po dua të them në këtë ditë të nxehtë vere, është se duhet të shqetësohemi që e kemi një kryeministër dhe një tufë praktikantësh rreth tij, që nuk e kuptojnë as protokollin shtetëror.

Sa ishin në opozitë, atëherë kur i imitonin lëvizjet e majta revolucionare me veshje joformale në paraqitje publike apo kur i vishnin do këmisha të bardha kinse si “përfaqësues” të pastërtisë politike, shumë mirë e dinin rëndësinë e mesazhit që përçonin. Tash, jo veç dielli, por edhe pushteti iu ka ra kresë!

Shijoje pushtetin edhe ndonjë ditë oo kryeministër, veçse shlirohu, hiqe kravatën, se edhe shkencërisht nuk rekomandohet mbajtja e kravatës kur temperaturat janë mbi 30 gradë celsius. 😉

Të ngjashme