Beqaj: Serbia nuk po e do normalizimin me Kosovën

Prishtinë | 01 Jan 2017 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i rrethanave politike në vend, Belul Beqaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa të mos i zbatojë ultimatumet e fundit të Qeverisë së Serbisë në lidhje me zëvendësimet e ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se nëse kryeministri i vendit u bindet këtyre ultimatumeve, atëherë ai duhet të shkarkohet.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Beqaj ka thënë se këto mesazhe të Qeverisë serbe tregojnë se Beogradi nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ultimatumi i Vuçiqit paraqet mesazh të qartë se Serbia nuk dëshiron normalizimin e raporteve me Kosovën. Këso mesazhe nuk ka dërguar as Millosheviqi kur ka qenë Kosova në kuadër të RSFJ-së. Nëse eventualisht ultimatumi i tillë merret parasysh nga kryeministri Kosovës, atëherë mendoj se kryeministri urgjentisht duhet të shkarkohet. Nëse kthehet ministri i shkarkuar, do të thotë se me Kosovën qeverisë edhe publikisht kryeministri i Serbisë!”, ka thënë Beqaj.

Ai ka vlerësuar se edhe paralajmërimet se ata do të fillojnë vetë ta formojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe tregojnë për synimet që Serbia ka ndaj Kosovës.

Sipas Beqajt, ky është një moment i mirë i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në Bruksel. “Kjo tregon çfarë janë pretendimet e mirëfillta të Serbisë. Ajo synon që brenda shtetit të Kosovës ta krijojë shtetin marionetë të Serbisë. Në fakt, ky është moment i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme. Meqë kjo kërkesë është paralajmërim që bie në dyshim të gjitha të arriturat e deritanishme, pavarësisht se ato ishin të kufizuara. Në anën tjetër, mund të jetë uverturë me dimensione të paparashikueshme”, është shprehur Beqaj.

Politologu Beqaj në këtë intervistë ka folur edhe për punën e koalicionit qeverisës dhe të partive opozitare përgjatë këtij viti.

Ai ka thënë se suksesi më i madh i qeverisë ka qenë dinakëria e mbijetesës. Kurse sipas tij, opozita nuk ka pasur sukses ta fitojë besimin e duhur të qytetarëve për ndryshime kualitative. “Kjo Qeveri është krijuar me mashtrime, po mbahet me mashtrime dhe ka mbijetuar me mashtrime, në sajë të opozitës e cila nuk pati sukses ta fitojë besimin e duhur të qytetarëve të Kosovës për ndryshime kualitative. Suksesi më i madh i kësaj Qeveria është dinakëria e mbijetesës, pavarësisht se qytetarët e kanë humbur shpresën se do të bëhet më mirë”, ka deklaruar Beqaj.

INTERVISTA E PLOTË:

Përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar në Beograd me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq dhe nga ky takim i është dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 31 dhjetor t’i ndryshojë vendimet në lidhje me zëvendësimin e ministrave serbë. Si e keni parë këtë ultimatum?
Beqaj: Ultimatumi i Vuçiçit paraqet mesazh të qartë se Serbia nuk dëshiron normalizimin e raporteve me Kosovën. Këso mesazhe nuk ka dërguar as Millosheviqi kur ka qenë Kosova në kuadër të RSFJ-së. Nëse eventualisht ultimatumi i tillë merret parasysh nga kryeministri Kosovës, atëherë mendoj se kryeministri duhet urgjentisht të shkarkohet. Nëse kthehet ministri i shkarkuar, do të thotë se Kosovën e qeveris edhe publikisht kryeministri i Serbisë!

Po ashtu, ata kanë paralajmëruar se do ta fillojnë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Beqaj: Kjo tregon çfarë janë pretendimet e mirëfillta të Serbisë. Ajo synon që brenda shtetit të Kosovës të krijojë shtetin marionetë të Serbisë. Në fakt, ky është moment i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme. Meqë kjo kërkesë është paralajmërim që bie në dyshim të gjitha të arriturat e deritanishme, pavarësisht se ato ishin të kufizuara. Në anën tjetër, mund të jetë uverturë me dimensione të paparashikueshme.

Përçarja e Listës Serbe a mund të shihet si pozitive për Kosovën?
Beqaj: Jo. E vetmja gjë pozitive do të ishte sikur pushteti i Kosovës t’i mbështesë pa hezitim ata serbë që sinqerisht dëshirojnë të identifikohen me shtetin e tyre të Kosovës. Asnjë shtet nuk stabilizohet duke mashtruar pakicat. Përkundrazi, do të ishte investim i gabuar afatgjatë për destabilizimin e shtetit të Kosovës. Shteti i Kosovës duhet të kultivojë raporte të barabarta dhe të besueshme nëse dëshiron ta krijojë respektin e pakicave.

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se po të ishte shqiptar Mariqi do ta shkarkonte moti. Ka qenë reagimi i duhur i kryeministrit?
Beqaj: Gardiani i barazisë qytetare të Kosovës tregoi sa është i padrejtë ndaj shumicës dhe sa i dobët ndaj pakicës shpërfillëse. Duke privilegjuar pakicën serbe, ky ka shkaktuar edhe dobësimin e shtetit të Kosovës. Sikur të kishte ndërgjegje politike, do të duhej të ishte argument i rëndësishëm politik për të dorëhequr. Por, këtë nuk është në gjendje për ta bërë derisa e duron shumica.

Po përmbyllet ky vit dhe nuk po përmbushet pritja më e madhe e qytetarëve të Kosovës, që ka qenë liberalizmi i vizave. Kënd e bëni përgjegjës për këtë dështim?
Beqaj: Qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se liberalizmit të vizave i gëzohet më së shumti pushteti, ngaqë kur të liberalizohen vizat, në Kosovë do të mbeten vetëm pushtetarët dhe vartësit e tyre. Para 17 vjetëve baballarët dhanë jetën për të krijuar këtë shtet, ndërsa tashti të rinjtë po rrezikojnë jetën e tyre për të ikur nga shteti i baballarëve të tyre. Paraprakisht do të ishte mirë ta mundnim të keqen brenda nesh. Prandaj, personalisht mendoj se më mirë është që nuk ndodhi liberalizimi. Është momenti i këndelljes. Mos vallë e kemi fetishizuar Evropën pse nuk kemi qenë në gjendje të ballafaqohemi me të keqen brenda nesh! Shpëtimi ynë duhet të jetë në Kosovë e jo në Evropë. Duke kërkuar shpëtimin tonë në Evropë, ne po e kërcënojmë Evropën e stërngarkuar me egoizëm dhe kundërthëniet e saj.

Si do ta vlerësonit punën e qeverisë dhe opozitës për këtë vit?
Beqaj: Kjo Qeveri është krijuar me mashtrime, po mbahet me mashtrime dhe ka mbijetuar me mashtrime, në sajë të opozitës e cila nuk pati sukses ta fitojë besimin e duhur të qytetarëve të Kosovës për ndryshime kualitative. Suksesi më i madh i kësaj Qeveria është dinakëria e mbijetesës, pavarësisht se qytetarët e kanë humbur shpresën se do të bëhet më mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme