Berat Rukiqi aderon në LDK

Prishtinë | 19 Sht 2022 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Një tjetër figurë e njohur publike pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Berat Rukiqi, një ekonomist, ish-udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, pritet të aderojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës së shpejti, ka marrë vesh Paparaci nga burime.

Aderimi i Rukiqit në LDK pritet të bëhet zyrtar nga partia opozitare ditëve të ardhshme, kanë bërë të ditur burime shumë të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës.I kontaktuar nga Paparaci të hënën, Rukiqi nuk e ka pohuar, as mohuar informacionin.“Siç e dini, para 2 muajve e kam përfunduar angazhimin disa vjeçar në Oden Ekonomike te Kosovës. Tani jam në një tranzicion në jetën profesionale dhe fokusi im është ndërmarrësia, me disa projekte te reja dhe jeta akademike, përkatësisht angazhimi im në Universitetin e Prishtinës. Çdo angazhim tjetër, tani për tani, nuk është në planet e mia”, tha ai për mediumin.“Kjo nënkupton që nuk jam duke negociuar me asnjë parti politike”.

Berat Rukiqi ushtroi pozitën e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) për një mandat katër-vjeçar, nga viti 2018 deri në 2022.

Para se të udhëhiqte Odën Ekonomike, ai kishte zhvilluar karrierë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për një vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vjet në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, si dhe 10 vjet si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.

Për katër vjet, ai kishte ushtruar funksionin e kryesuesit të Bordit të Drejtoreve të KEK-ut.

Të ngjashme