Bislimi: Kemi plan ambicioz për integrim evropian këtë vit – Grupet parlamentare të gatshëm për reformën zgjedhore

Prishtinë | 01 Pri 2022 | 12:25 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, ka thënë se kanë plan ambicioz për integrimin evropian të Kosovës këtë vit, raporton Ekonomia Online.

Bislimi ka thënë se për të gjitha procese një rol të madh e ka edhe Kuvendi i Kosovës, të cilin e ka kritikuar për mosmiratim të disa projektligjeve.

“Si Qeveri kemi vendos plan shumë ambicioz për integrimin evropian këtë vit. Për të gjitha këto procese ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë ashtu siç kemi premtuar. Dokumenti ynë i parasheh obligimet e Qeverisë por pastaj në përmbushjen e këtyre obligimeve është Kuvendi sepse një masë konsiderohet e përmbushur pasi të miratohet në Kuvend”, ka thënë Bislimi.

Ai ka renditur një varg projektligjesh që nuk kanë kaluar ende në Kuvend e që janë pjesë e masave të ERA 2 dhe MSA.

“Aprovimi i këtyre projektligjeve në Kuvend në mënyrë drastike i përmirëson statistikat për zbatimin e ERA-s dhe planin kombëtar të zbatimit të MSA-së

Kryetarja e Komisionit për Integrim, Rrezarta Krasniqi ka reaguar ndaj Bislimit duke i thënë se nuk është faji i komisionit për moskalimin e projektligjeve.

Sipas Krasniqit faji për moskalimin e projektligjeve është i pushtetit derisa ka marrë shembull mosmiratimin e Kodit Civil.

Ndërkohë, Bislimi ka thënë se grupet parlamentare kanë shprehur vullnetin që të ketë konsensus në reformën zgjedhore dhe se këtë vullnet e kanë shprehur edhe në takim me partnerët ndërkombëtarë.

“Kanë shprehur vullnet të mirë që të bëhen pjesë e këtij procesi dhe këtij konsensusi. Nga BE-ja reforma elektorale ka një prioritet. Kuvendi ta fillojë formimin e grupit adhoc për reformën”, ka thënë ai.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në anën tjetër ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po kontribuon në arritjen e një konsensusi me partitë tjera.

Ajo ka përmendur mospërgjigjen e ministrave për raportim në Komision, derisa ka thënë se si zëvendëskryeministër do të duhej të adresonte rëndësinë e raportimit të tyre në Komision.

Të ngjashme