Bislimi takohet me ambasadoren suedeze, bisedojnë për çështjen e integrimeve evropiane

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot në zyrë ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.

Bëhet e ditur se Hernmarck e uroi zëvendëskryeministrin Bislimi për marrjen e përgjegjësive të reja në kuadër të detyrës si zëvendëskryeministër. Ajo u shpreh se e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për emërimin e tij si zëvendëskryeministër me portofolin e Integrimeve Evropiane, Zhvillimit dhe Dialogut, duke marrë parasysh bashkëpunimin paraprak që e kanë pasur gjatë detyrës së tij si Ministër i Financave.

Ndërkaq, Hernmarck e njoftoi Bislimin për projektet të cilat Suedia është duke i realizuar në Kosovë, e të cilat prekin fushat e demokratizimit, qeverisjes lokale, integrimit ekonomik me BE-në, të drejtat e njeriut si dhe fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Duke e falënderuar ambasadoren për vizitën dhe urimin, Bislimi tha se e vlerëson thellë mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës përgjatë këtyre viteve dhe theksoi se Suedia është një shembull për t’u ndjekur, sidomos në fushat në të cilat ajo tanimë po e mbështetë Kosovën.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën me pandeminë COVID-19, dialogun Kosovë-Serbi, si dhe çështjen e integrimeve evropiane.

Të ngjashme