Borrell do ta vizitojë Kosovën si destinacion të parë, por nuk do ta trajtojë si shtet

Prishtinë | 08 Tet 2019 | 07:56 | Nga Ekonomia Online

Notë kaluese ka marrë të hënën nga koordinatorët e grupimeve politike në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, Josep Borrel, i caktuar të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Ai në këtë post do ta zëvendësojë Catherine Ashton dhe, nëse vazhdohet praktika e deritashme, të jetë edhe lehtësues në emër të BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Borrel është ministër i Jashtëm i Spanjës dhe ka mbajtur deri tash qëndrim shumë negative ndaj Kosovës duke refuzuar edhe të marrë pjesë në takimet ku ka marrë pjesë Kosova, qoftë edhe takime me karakter joformal.

Borrell është pyetur edhe për Kosovën dhe Ballkanin, dhe ka thënë me këtë rast se ky rajon do të jetë edhe prioritet në punën e tij. Ka thënë se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë prioritet në punën e tij në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Përfaqësuesi i lartë i ardhshëm i BE-së ka paralajmëruar se Prishtina do të jetë destinacioni i tij i parë, të cilin do ta vizitojë kur ta nisë mandatin.

Josep Borrell është shprehur se, sipas tij, dialogu ka zgjatur tepër gjatë dhe pret nga palët që në dialog të shfaqin më shumë përkushtim. Ka thënë se nga Kosova pret të heqë taksën prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, ndërsa nga Serbia pret një “angazhim të sinqertë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme